Health & Beauty

Rastet e kancerit te të rinjtë janë rritur me 10%, ndërsa gratë e brezit Millennial preken më shpesh se burrat

Një analizë e publikuar nga The Washington Post ngre shqetësime për rritjen e rasteve të kancerit te të rinjtë.

Sipas të dhënave të përmendura në raport, që nga viti 2000, diagnozat e kancerit te amerikanët e moshës 15 deri në 49 vjeç janë rritur me 10%. Ndërkohë, te të rriturit në moshë më të madhe, normat e përgjithshme të kancerit kanë shënuar rënie.

Një tjetër element që bie në sy është dallimi mes grave dhe burrave. Gratë e kësaj grupmoshe përballen me një normë kanceri 83% më të lartë krahasuar me burrat. Një pjesë e konsiderueshme e këtij ndryshimi lidhet me rritjen e rasteve të kancerit të gjirit, tiroides dhe zorrës së trashë.

Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë pse brezi Millennial dhe të rinjtë e sotëm po diagnostikohen me kancer më herët se gjeneratat e mëparshme.

Ndër faktorët që po studiohen janë ushqimet ultra të përpunuara, ekspozimi ndaj kimikateve sintetike dhe mikroplastikave, çrregullimet e ritmit biologjik të trupit dhe përdorimi i disa medikamenteve nga nënat gjatë shtatzënisë. Megjithatë, këta faktorë janë ende objekt studimi dhe nuk është përcaktuar se sa ndikojnë konkretisht në rritjen e rasteve.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe të diagnostikimit të hershëm, ndërsa kërkimet vazhdojnë për të identifikuar shkaqet e kësaj prirjeje dhe mënyrat për ta frenuar atë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.