Është përshkallëzuar më shumë situata para godinës së Ministrisë së Arsimit, ku studentët kanë qëlluar me bojë dhe Policia ka ndërhyrë me ujë, në tentativë për të larguar studentët. Pavarësisht situatës, të rinjtë kanë bërë rezistencë duke qëndruar në këmbë para autobotit.
Në këto rrethana raportohet se efektivët e Policisë kanë ndërhyrë duke shpërndarë protestuesit. Ndërsa raportohet se kanë filluar shoqërimet e para, numri i të cilëve nuk dihet akoma.
Situata u tensionua akoma më shumë që nga momenti kur disa prej studentëve arritën të depërtonin në oborrin e Ministrisë së Arsimit, nga ku brenda pak minutash u larguan nga efektivët e “Shqiponjave”.
Gjithashtu raportohet se efektivët janë kundërpërgjigjur dhe me spray djegës ndaj studentëve. Të revoltuar, këta të fundit dëgjohen duke brohoritur njëzëri: Poshtë komunistët!
Mbishkrime në mure të cilat janë “shënjestruar” me vezë, bojë e domate dhe xhama tyë thyera, është “dhurata” që i bënë studentët sot godinës së Ministrisë së Arsimit.
Pas më shumë se një ore protestë, bëhet me dije se efektivët pas thirrjeve që qytetarët të distancohen, këta të fundit kundërshtuan. Në sajë të situatës së tensionuar policia ka nisur me shoqërimet e para, ku raportohet se të shoqëruar janë rreth 5 të rinj. Megjithatë, pritet që në vijim të kemi informacion më të saktë kur autoritetet vendase të dalin me reagim zyrtar.




