Çfarë do të gjeni në brendësi
*Prej më shumë se 6 orësh vijon protesta e studentëve dhe qytetarëve para Ministrisë së Arsimit. *Kjo protestë zhvillohet në vazhdën e revoltave qytetare që po mbahen prej 135 ditësh. *Protestuesit qëlluan me gurë xhamat e ministrisë ndërsa shkullën kangjellat në “Rrugën e Durrësit”. Po ashtu u hodhën dhe kapsolla në drejtim të policëve. *Policia ndërhyu me shkopinj gome dhe autobote me ujë e gazlotsjellës për të shpërndarë protestuesit. *Gjatë momenteve të tensionit dhe përplasjes u plagosën policë dhe protestues, gjithashtu dhe gazetarë. *Policia e shtetit në një reagim zyrtar tha se janë shoqëruar 23 persona ndërsa ministri i Brendshëm ka dënuar dhunën ndaj efektivave blu.
13 persona marrin ndihmë mjekësore pas protestës në Tiranë, 6 policë të dëmtuar dhe 2 gazetare në Traumë

13 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë në Tiranë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes personave që kanë kërkuar ndihmë janë tre protestues, dy gazetare, gjashtë efektivë policie dhe dy kalimtarë.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore dy gazetare, të cilat pas ekzaminimeve janë larguar me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Në të njëjtin spital kanë marrë trajtim edhe gjashtë efektivë të Policisë, të cilët kanë pësuar dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë larguar nga spitali, jashtë rrezikut për jetën.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital dhe do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj, për t'iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore.
Njoftimi
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë./Versus.al
Tensione mes protestuesve dhe policisë, hidhet gaz lotsjellës mbi turmën, dhjetëra të shoqëruar

Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është përshkallëzuar rreth orës 20:00, pas afro gjashtë orësh tubim dhe përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Efektivët kanë ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa raportohet për dhjetëra persona të shoqëruar në polici.
Protesta nisi rreth orës 14:00, fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, por më pas u shtri edhe në zona të tjera të kryeqytetit, veçanërisht përgjatë Rrugës së Durrësit, ku u regjistruan incidente dhe akte dhune.
Gjatë tubimit, situata u tensionua pas disa orësh qëndrimi të protestuesve në rrugë. Përplasjet me policinë u intensifikuan, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës.
Më herët, protestuesit dëmtuan një filial të një institucioni financiar. Nga ambientet e biznesit u nxorën mobilie dhe sende të tjera, të cilave iu vu flaka në mes të rrugës, duke shkaktuar dëme materiale.
Përshkallëzimi vijoi deri në mbrëmje, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit dhe për të rivendosur rendin.
Ndërkohë, dhjetëra persona janë shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme procedurale./Versus.al
Ministri Demo kërkon lirimin urgjent të studentëve të ndaluar: Gazi lotsjellës të përdoret në rastet ekstreme

Ministri i sapoemëruar i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u ka kërkuar drejtuesve të Policisë së Shtetit lirimin e studentëve të ndaluar gjatë protestës së zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit.
Burime i thanë Versus se ndërhyrja e ministrit është bërë pak minuta më parë, me kërkesën që studentët të lirohen dhe të jenë të gatshëm për t'u rikthyer nesër në auditore.
Një tjetër porosi e Demos lidhet me përdorimin e gazit lotsjellës. Sipas burimeve për Versus, ministri ka kërkuar që përdorimi i tij të kufizohet dhe të bëhet vetëm në raste ekstreme.
Aktualisht, policia ka njoftuar zyrtarisht se janë 23 protestues të ndaluar./Versus.al
"Dhuna nuk justifikohet", Demo apel studentëve protestues: Ruani qetësinë. Policia po bën detyrën!

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar mbi protestën që po zhvillohet te Ministria e Arsimit duke kërkuar ruajtjen e qetësisë pasi sipas tij dhuna nuk justifikohet.
Demo ka dënuar gjithashtu dhe dhunën ndaj efektivëve të policisë.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, shkruan Demo.
Ministri vijon me apelin për të mos u agravuar situata ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë efektivëve të plagosur.
“Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.
Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”, thuhet në reagimin e ministrit Ervin Demo.
"Hodhën kapsolla, molotovë dhe gurë", policia jep detaje nga protesta: 6 efektivë të plagosur dhe një gazetare. Shoqëruam 23 persona

Policia e Shtetit ka reaguar për tensionet dhe përplasjet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar mesditën e sotme para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas policisë, 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa si pasojë e përplasjeve janë lënduar gjashtë punonjës policie dhe një gazetare.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se kishte hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tubimit.
Sipas versionit të policisë, një grup protestuesish kanë dëmtuar fillimisht rrethimin e jashtëm të godinës së Ministrisë së Arsimit dhe më pas portën hyrëse, me qëllim hyrjen në oborrin e institucionit. Më tej, ata kanë goditur me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.
Policia pretendon se efektivët u kanë bërë disa herë thirrje protestuesve të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata nuk u janë bindur urdhrave dhe kanë vijuar të godasin punonjësit e policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.
Në këto kushte, sipas njoftimit, strukturat e policisë kanë ndërhyrë për neutralizimin e personave të përfshirë në veprimet e dhunshme dhe rivendosjen e rendit, duke shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
Si pasojë e përplasjeve, gjashtë punonjës të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një shtetase, gazetare, kanë mbetur të lënduar. Policia bën me dije se të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë protestës, si dhe për nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
AGSH denoncon dhunën ndaj gazetarëve në protestën para Ministrisë së Arsimit

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë, ku sipas raportimeve, efektivë të Policisë së Shtetit kanë dëmtuar fizikisht një gazetare dhe kanë penguar punën e një ekipi televiziv.
Në një reagim paraprak, AGSH bën me dije se gazetarja e Fax News, Fatime Halmusa, është dëmtuar fizikisht nga efektivët e policisë, ndërsa ekipi i A2 CNN është penguar forcërisht të raportojë nga protesta.
Sipas Asociacionit, problematika të ngjashme janë raportuar edhe nga media të tjera që po ndjekin zhvillimet nga terreni.
AGSH i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë çdo veprim që cenon sigurinë e gazetarëve dhe pengon ushtrimin e detyrës së tyre.
Asociacioni e konsideron situatën shqetësuese dhe kërkon që rastet e raportuara të trajtohen me urgjencë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Reagimi vjen në një moment kur protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa gazetarët vijojnë të raportojnë për zhvillimet në terren.
Protestuesit hedhin kapsolla, policia u përgjigjet me gazlotsjellës. Çfarë po ndodh tek Ministria e Arsimit?

Vijojnë tensionet tek Ministria e Arsimit, ku dhjetëra protestues me maska në fytyrë kanë hedhur kapsolla në drejtim të policisë ndërsa nga ana e efektivave blu kanë shpërndarë gazlotsjellës drejt të rinjve.
Tensionet në rrugët e kryeqytetit vijojnë të jenë të larta, ndërsa forcat e policisë kanë ndërmarrë një tjetër valë shoqërimesh me forcë ndaj protestuesve.
Siç shihet edhe nga pamjet e reja të siguruara në vendngjarje, efektivët e rendit kanë neutralizuar sërish persona në rrugë./Versus.al
Protesta e studentëve, të rinjve i bashkohen dhe qytetarët. Policia vendos shiritin e verdhë "skenë krimi" tek godina e Ministrisë së Arsimit

Një numër i madh protestuesish janë nisur në marshim drejt godinës së Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke shtuar pjesëmarrjen në protestën që po zhvillohet në kryeqytet.
Qytetarët që ishin grumbulluar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë organizuar në marshim drejt ministrisë, ku ndodhen edhe të rinjtë dhe studentët e mbledhur në Rrugën e Durrësit.
Bashkimi i dy grupeve ka shtuar numrin e protestuesve në zonë, ndërsa tubimi vijon me pjesëmarrje të zgjeruar.
Protesta po zhvillohet në një situatë të tensionuar, pas përplasjeve të raportuara më herët mes protestuesve dhe forcave të policisë pranë Ministrisë së Arsimit.
Policia ka vendosur shiritin e verdhë, si perimetër sigurie e ngjashme me "skenë krimi" para godinës së Ministrisë së Arsimit.
FOTO/ Protesta tek Ministria e Arsimit, studentët "i vënë flakën" Rrugës së Durrësit. Përplasen me policinë

Vijon protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë ndezur zjarr në mes të rrugës dhe, sipas raportimeve nga terreni, kanë goditur efektivët e policisë.
Situata është përshkallëzuar, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë rritur tensionet në zonën përpara institucionit.
Pas hedhjes së gazit lotsjellës nga ana e protestuesve, një pjesë e efektivëve është tërhequr nga kordoni i parë i sigurisë, i vendosur për të mbrojtur godinën e Ministrisë së Arsimit.
Protesta vijon mes tensioneve, ndërsa situata në terren mbetet e agravuar.

View this post on Instagram
“Jep dorëheqjen!”/ Policia i largon nga Ministria e Arsimit, protestuesit nuk lëvizin nga Rruga e Durrësit

Protesta para Ministrisë së Arsimit vijon mes tensioneve, ndërsa policia ka ndërhyrë për të larguar protestuesit nga godina e institucionit.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, një pjesë e protestuesve është zhvendosur drejt Rrugës së Durrësit, ku ata vijojnë të qëndrojnë dhe të kundërshtojnë aksionin e policisë.
“Jep dorëheqjen!”, janë thirrjet e protestuesve, të cilët nuk janë larguar nga rruga, pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit.
Më herët, situata u përshkallëzua me përdorimin e shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës nga policia, ndërsa autoboti i ujit me presion u përdor për të shtyrë turmën.
Sipas të dhënave paraprake, të paktën 10 persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa përplasjet para Ministrisë së Arsimit kanë vijuar për disa momente me tensione të forta.
Policia hedh ujë drejt protestuesve tek Ministria e Arsimit, disa persona të lënduar nga goditjet me shkopinj gome

Pas më shumë se një orë nga nisja e protestës së lajmëruar të studentëve para Ministrisë së Arsimit, policia ka ndërhyrë me autobotet e ujit për të shpërndarë protestuesit.
Nuk ka munguar dhe dhuna ndaj studentëve ku policia me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome i ka shtyrë nga godina e Ministrisë.
Forcat e rendit, të mbështetura nga autoboti i ujit me presion, kanë arritur të shtyjnë një pjesë të protestuesve në drejtim të Rrugës së Durrësit, pranë qendrës së kryeqytetit.
Ndërkohë, një grup tjetër vijon të qëndrojë i grumbulluar në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit.
Sipas të dhënave paraprake nga terreni, policia ka shoqëruar të paktën 10 persona. Gjatë ndërhyrjes për shoqërimin e tyre është përdorur forcë fizike.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë një prej personave të shoqëruar me plagë dhe gjak në fytyrë, pas përplasjeve me forcat e rendit.
Protesta është shoqëruar më herët me tensione të forta, përdorim të shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës nga policia, ndërsa disa protestues kanë kaluar rrethimin e institucionit.
Tensione mes protestuesve dhe policisë tek Ministria e Arsimit. Hidhet gaz lotsjellës për të shpërndarë studentët

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar, ku policia ka ndërhyrë me shkopinj gome, ndërsa ndaj protestuesve është hedhur edhe gaz lotsjellës.
Disa prej protestuesve kanë kaluar rrethimin dhe janë futur brenda perimetrit të institucionit, duke rritur tensionet gjatë tubimit. Policia ka shoqëruar disa studentë.
Protesta është shoqëruar me thirrje të fuqishme nga studentët dhe qytetarët e tjerë pjesëmarrës, ndërsa situata është tensionuar pas ndërhyrjes së forcave të policisë.
Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje protestuesve të largohen dhe të lirojnë rrugën, por turma nuk i është bindur kërkesës dhe ka vijuar qëndrimin para institucionit.
Protesta e studentëve, hidhen letra higjenike dhe vezë e gurë drejt ministrisë

Studentët e mbledhur për protestë para ministrisë së Arsimit kanë hedhur shishe me ujë, letra higjenike, vezë e gurë drejt godinës.
Gjithashtu kanë shkruar në muret e godinës “ministri e krimit” duke këkruar dorëheqjen e qeverisë.
Këtë herë, studentët kërkojnë vetëm dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe jo negociata. Në thirrjen e publikuar për protestë kombëtare, studentët u kanë kërkuar qytetarëve nga i gjithë vendi që të mblidhen në protestë për rrëzimin e qeverisë. Versus.al
“Nuk është kryeministër i denjë”, studentët në protestë: Kërkojmë largimin e Ramës

Studentët kanë nisur protestën para ministrisë së Arsimit në vijim të protestave që mbahen në vend që prej 31 majit pas skandalit të ndodhur në Zvërnec. Këtë herë, ata u shprehën se ndryshe nga viti 2018, nuk kërkojnë negociata, por vetëm largimin e Ramës nga posti i kreut të qeverisë.
“Nuk dalim me pika proteste si në 2018. Nuk kërkojmë që kryeministri të negociojë sepse janë pika që nuk janë plotësuar në 36 vite. Ne kërkojmë vetëm dorëheqje të Ramës, nuk duam negociata me të”- u shpreh njëri prej studentëve, ndërsa një tjetër tha se nuk e sheh Ramën të denjë për postin e kryeministrit. Versus.al
Protesta kombëtare e thirrur nga studentët, nis tubimi para ministrisë së Arsimit
Ashtu siç ishte paralajmëruar studentët janë mbledhur sot para ministrisë së Arsimit për protestën kombëtare kundër qeverisë në vijim të protestave të përnatshme që zhvillohen para godinës së kryeministrisë.
Siç shihen nga pamjet, qytetarë të shumtë janë mbledhur para ministrisë, ndërsa pritet edhe shprehja e pakënaqësive dhe problemeve të pazgjidhura me të cilët përballen shqiptarët çdo ditë.
Mbrëmjen e djeshme, protestuesit hoqën mikrofonin dhe bllokuan hyrjen e kryeministrisë për disa momente. Versus.al

