
Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën më 13 tetor ndalimin e shtatë personave të hetuar si anëtarë të një grupi kriminal me veprimtari trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas SPAK, anëtarët e këtij grupi organizonin dhënien e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetasit e huaj, kryesisht me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme, kundrejt përfitimit të shumave të ndryshme monetare.
Nga hetimet ka rezultuar se personat që kryenin tranzitin kanë hyrë nga territori i Republikës së Greqisë në Korçë dhe në Gjirokastër. Kalimi i tyre në territorin shqiptar ka qenë i organizuar dhe drejtohej nga një person për çdo grup që përbëhej nga 3 deri në 50 vetë. Në vijim, organizatorët e trafikut, bashkë me shoqëruesin, i kanë transportuar shtetasit e huaj deri në kufirin verior të Shqipërisë në qarkun e Shkodrës, ku priteshin nga persona të tjerë, edhe ata të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se janë evidentuar shtatë episode gjatë periudhës maj-korrik 2024, kur janë transportuar drejt Malit të Zi rreth 79 persona. Në një rast, më datë 7 korrik të vitit 2024 është arrestuar në Korçë shoferi që bënte transportin e shtetasve të huaj; në një episod tjetër një ditë më vonë kanë rezultuar të përfshirë dhe dy punonjës të policisë kufitare në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, të cilët kanë kryer kalimin e këtyre emigrantëve të paligjshëm në drejtim të kufirit me Malin e Zi. Më datë 23 korrik ka rezultuar se 11 shtetas të huaj që janë trafikuar drejt Malit të Zi, janë marrë peng atje 5 shtetas me origjinë po nga vendet e Lindjes së Mesme. Autoritetet e Malit të Zi kanë mundësuar lirimin e pengjeve dhe arrestimin e tre prej pengmarrësve.
Për gjashtë prej të arrestuarve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndërsa për njërin “arrest shtëpie”.
Të ndaluarit akuzohen për veprat penale; “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
SPAK njoftoi se po vijon hetimin për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup tra trafikimit të qenieve njerëzore.







