Rikthehen tensionet në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit, teksa policia po tenton të shpërndajë me ujë me presion protestuesit që u riorganizuan duke marshuar përgjatë rrugës së Durrësit në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Policia kishte vendosur kordonë sigurie, por që nuk penguin marshimin e studentëve.
Rruga e Durrësit u boshatis për disa minuta pas ndërhyrjes së forcave të rendit, por studentët janë riorganizuar dhe kanë marshuar në drejtim të godinës qeveritare.
Protestuesit tentojnë të thyejnë kordonin policor duke qëlluar me gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë me presion.
“Edi Rama terrorist”, “Biri i nënës në kurbet, biri i kurvës në pushtet”, “Edi Rama o tradhëtar, jep dorëheqjen sa më parë”, janë disa nga thirrjet që u hodhën në protestën e thirrur nga studentët para Ministrisë së Arsimit, e cila u përshkallëzua në akte dhune, ndërsa policia shpërndahu me forcë turmën.
Forcat e rendit kanë vendosur kordonë sigurie në hyrje të rrugës së Durrësit, duke larguar qindra metra larg Ministrisë së Arsimit studentët protestues.
Policia përdori ujin me presion me spray me piper për të shpërndarë protestuesit, të cilët sulmuan me gurë dhe fishekzjarre godinën e Ministrisë së Arsimit dhe forcat e rendit që ishin stacionuar në oborrin e godinës qeveritare.
“Duam kushte duam dije, jo pallavra qeverie”, është një tjetër thirrje e studentëve protestues, ndërsa ajo që dëgjohet më shumë është “ju erdhi fundi” një thirrje që u përdor përgjatë protestave të pagëzuara si “Revolucioni Flamingo”.














