Qytetarët që kanë paguar për apartamente, por kanë mbetur pa pronën e përfunduar për shkak të problematikave me ndërtuesit, mund të përfitojnë nga një mekanizëm i ri ligjor. Projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 66/2023 parashikon jo vetëm konfiskimin e objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes, por edhe përfundimin e tyre dhe dorëzimin te personat që kanë të drejta kontraktore mbi këto pasuri.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, shpjegoi se ndryshimet synojnë të plotësojnë një boshllëk në legjislacionin aktual, i cili parashikon konfiskimin e ndërtimeve, por nuk përcakton detyrimin për përfundimin e tyre.
“Draftligji që ne propozojmë është të përfundojmë të gjitha objektet që janë lënë të papërfunduara nga ndërtuesit dhe t’ua japim pasuritë e përfunduara subjekteve që kanë pasur kontrata sipërmarrjeje, premtim-shitjeje”, deklaroi Xhaja.
Verifikimi i kontratave dhe i përfituesve
Sipas projektligjit, do të ngrihet një grup pune për të shqyrtuar kontratat e lidhura përpara noterit dhe për të identifikuar personat që kanë të drejtë të përfitojnë nga objektet e konfiskuara.
Paralelisht, AAPSK do të vlerësojë gjendjen fizike të ndërtimeve, investimin e kryer deri në momentin e ndërprerjes së punimeve dhe ndërhyrjet që nevojiten për përfundimin e tyre.
Pas këtij procesi, do të vijojnë procedurat për prokurimin e shërbimeve të projektimit dhe të punimeve të nevojshme për përfundimin e objekteve.
Një nga elementet kryesore të mekanizmit është financimi. Sipas Xhajës, të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e pasurive të konfiskuara do të përdoren për të financuar punimet në objektet e lëna përgjysmë nga ndërtuesit.
Ndërkohë, financimi i familjeve përfituese nga programet e strehimit social do të vijojë të rregullohet nga legjislacioni përkatës.
Gjatë diskutimit në komision, Xhaja bëri të ditur se aktualisht janë 16 objekte që i nënshtrohen procedurës së parablerjes në kuadër të ligjit nr. 66/2023. Bëhet fjalë kryesisht për ndërtime që kanë tejkaluar lejen e dhënë.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë që e drejta e parablerjes të zbatohet për subjektet që kanë ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, dhe jo për ato që kanë ndërtuar tërësisht pa leje.
Projektligji synon gjithashtu të zgjerojë kategorinë e përfituesve të pasurive të konfiskuara, duke i vënë ato në dispozicion edhe për nevojat e strehimit social.
Mekanizmi do të aktivizohet mbi bazën e kërkesave që do të paraqesë Ministria e Ekonomisë. AAPSK do të identifikojë pasuritë e disponueshme dhe të përshtatshme, ndërsa kalimi i tyre te ministria do të bëhet përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Një tjetër element i parashikuar në ndryshime është përjashtimi i investitorëve nga përfitimi i pasurive të konfiskuara, me qëllim shmangien e situatave ku subjektet e përfshira në zhvillimin e ndërtimeve mund të përfitojnë nga vetë pasuritë që u janë konfiskuar.
Gjatë sqarimeve në komision, Xhaja theksoi se procedurat e legalizimit nuk janë pjesë e projektligjit. Subjektet do të duhet të vetëdeklarojnë situatën e tyre lidhur me procesin e legalizimit, ndërsa rastet që nuk plotësojnë kushtet dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi do të trajtohen sipas procedurave të konfiskimit.
Në këtë mënyrë, ndryshimet e propozuara synojnë të krijojnë një mekanizëm për administrimin dhe përfundimin e ndërtimeve të konfiskuara, duke u dhënë mundësi personave që kanë lidhur kontrata për blerjen e apartamenteve të përfitojnë nga pasuritë e përfunduara, në përputhje me kushtet dhe procedurat që do të përcaktojë ligji.


