Lajmi i fundit

LIVE - Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit

Shtëpia e Bardhë i kërkon Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga posti i ambasadores në Greqi

Shtëpia e Bardhë i kërkon Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga posti i ambasadores në Greqi

16:33, 13/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga detyra e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas publikimit të një raportimi në gazetën “The Wall Street Journal”, sipas të cilit ajo kishte kërkuar një pagesë prej 100 mijë dollarësh nga një donator i Donald Trump.

“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një aset i çmuar për ekipin dhe i urojmë gjithë të mirat”, deklaroi të martën zëdhënësja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia.

Sipas raportimit të publikuar javën e kaluar nga “The Wall Street Journal”, Guilfoyle kishte kërkuar që shuma prej 100 mijë dollarësh t’i transferohej në llogarinë e saj të American Express, vetëm pak ditë para seancës së konfirmimit për postin diplomatik.

Gazeta, duke iu referuar mesazheve tekst që ka shqyrtuar, raportoi se Guilfoyle i kishte kërkuar pagesën Eric Deters, një donator i Trump dhe ish-kandidat për Kongresin amerikan. Gjatë komunikimeve, ajo kishte vënë në dukje lidhjet e saj me administratën Trump dhe kishte shprehur gatishmërinë për të ndërhyrë në interes të tij pranë Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS) dhe Departamentit të Drejtësisë.

Sipas të njëjtit raportim, Guilfoyle i kishte premtuar Deters se do të ishte në krah të tij “përgjithmonë”, duke përdorur shprehjen “Trump ride or die, forever and ever”, nëse ai do të siguronte shumën e kërkuar. Megjithatë, Deters nuk e kreu pagesën, duke i thënë asaj se kjo do t’i kushtonte martesën.

Avokati i Guilfoyle kundërshton vërtetësinë e mesazheve

Avokati i ambasadores ka vënë në dyshim vërtetësinë e mesazheve të publikuara, por nuk ka dhënë hollësi për pretendimet. Ai deklaroi se Guilfoyle i takonte ende të merrte një shumë të papaguar për aktivitete ku kishte marrë pjesë përpara emërimit të saj.

Nga ana tjetër, Deters ka mohuar se i detyrohej ndonjë shumë ambasadores.

Ky nuk është raportimi i parë që ngre pikëpyetje mbi veprimtarinë e Guilfoyle në Greqi. Në shtator, “The Wall Street Journal” raportoi se ajo kishte habitur zyrtarë qeveritarë në disa vende të Evropës Juglindore për shkak të promovimit të vazhdueshëm të një kompanie greke dhe përpjekjeve për të përfshirë në takime lobistin e saj, Christos Marafatsos.

Sipas gazetës, Marafatsos kishte marrë pjesë në takime në rezidencën e ambasadores dhe me zyrtarë të huaj. Disa prej tyre e kishin ngatërruar me shefin e kabinetit të Guilfoyle.

Pakënaqësi në administratën amerikane

Zbulimet e njëpasnjëshme kanë shkaktuar pakënaqësi te zyrtarët e administratës në Uashington, ku, sipas raportimit, kishte pasur prej kohësh rezerva lidhur me ushtrimin e detyrës nga Guilfoyle.

Që prej mbërritjes në Athinë, vjeshtën e kaluar, ish-e fejuara e Donald Trump Jr. ka ndërthurur takimet me drejtues rajonalë me pjesëmarrjen në sfilata mode dhe aktivitete artistike në Evropë.

Stilistja e saj, Fancy James, e ka shoqëruar shpesh në udhëtime, përfshirë edhe një darkë me zyrtarë grekë dhe bullgarë në Uashington në fillim të këtij viti.

Të hënën, kur u pyet nga gazetarët nëse mund ta shkarkonte Guilfoyle, presidenti Donald Trump u shpreh se administrata po e shqyrtonte çështjen.

“Po, po e shqyrtojmë. Nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Trump.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco