Nga Av. Arenc Berati
Prokuroria kërkon që gjykimet të zhvillohen pa avokat, sikur mungesa e mbrojtjes ta bënte drejtësinë më të mirë. Ndërsa gjykata ofron «zgjidhjen»: do të thërrasim avokatët e ndihmës juridike falas!
Por përpara se të shpallin këtë zgjidhje, a e dinë kush janë këta avokatë, kush i cakton dhe në çfarë kushtesh përfitohet ky shërbim?
Lista e avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike të garantuar nga shteti është miratuar nga Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për të gjitha dhomat vendore. Ata janë avokatë të licencuar nga Dhoma dhe caktohen përmes strukturave përkatëse të avokatisë. Financimi nga shteti nuk i bën avokatë të Ministrisë së Drejtësisë dhe as një trupë rezervë për të thyer bojkotin.
Për më tepër, kur ndihma juridike kërkohet për shkak të pamundësisë ekonomike, kjo pamundësi nuk mund të merret e mirëqenë. Gjykata duhet të shqyrtojë kërkesën, të verifikojë dokumentacionin dhe provat për të ardhurat e pasurinë dhe të vendosë nëse plotësohen kushtet ligjore për përfitimin e saj. Rastet e veçanta që ligji parashikon pavarësisht gjendjes ekonomike dhe mbrojtja e detyrueshme kanë rregullat e tyre; ato nuk mund të ngatërrohen për t’i dhënë një zgjidhje të improvizuar bojkotit.
Këta avokatë kanë të njëjtat detyrime profesionale dhe të njëjtin detyrim për të respektuar vendimmarrjen e DHASH. Mënyra e pagesës nuk e ndryshon përkatësinë dhe përgjegjësinë e tyre profesionale.
Avokati nuk është pengesë që duhet larguar dhe as një emër që vendoset në procesverbal për të krijuar pamjen e një procesi të rregullt. Mbrojtja duhet të jetë reale, e pavarur dhe efektive.
Të kërkosh gjykime pa avokat dhe ta trajtosh ndihmën juridike falas si mjet për të anashkaluar bojkotin, është turpi i radhës i atyre gjyqtarëve të GJKKO-së dhe prokurorëve të SPAK-ut që mbështesin këtë qasje.













