
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë, ku sipas raportimeve, efektivë të Policisë së Shtetit kanë dëmtuar fizikisht një gazetare dhe kanë penguar punën e një ekipi televiziv.
Në një reagim paraprak, AGSH bën me dije se gazetarja e Fax News, Fatime Halmusa, është dëmtuar fizikisht nga efektivët e policisë, ndërsa ekipi i A2 CNN është penguar forcërisht të raportojë nga protesta.
Sipas Asociacionit, problematika të ngjashme janë raportuar edhe nga media të tjera që po ndjekin zhvillimet nga terreni.
AGSH i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë çdo veprim që cenon sigurinë e gazetarëve dhe pengon ushtrimin e detyrës së tyre.
Asociacioni e konsideron situatën shqetësuese dhe kërkon që rastet e raportuara të trajtohen me urgjencë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Reagimi vjen në një moment kur protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa gazetarët vijojnë të raportojnë për zhvillimet në terren.

