web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Lufta” Juventus-Ronaldo, vazhdon beteja

13 Tetor 2026, 17:36, Sport CNA

“Lufta” Juventus-Ronaldo, vazhdon beteja

Beteja ligjore mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos për pagat e prapambetura të periudhës së emergjencës së Kovidit vazhdon të mbetet e hapur. Çështja mes klubit bardhezi dhe yllit portugez do të kalojë në shkallën e fundit të gjyqësorit, pasi drejtuesit e Juventusit kanë paraqitur zyrtarisht një ankimim në Gjykatën e Kasacionit. Sipas të dhënave të pasqyruara në bilancin e sezonit 2025-2026, klubi torinez po kundërshton vendimin e Gjykatës së Torinos, i cili në janar të këtij viti la në fuqi vendimin e arbitrazhit në favor të sulmuesit.

E gjithë kjo përplasje ligjore e ka zanafillën te marrëveshja e vitit 2021 për heqjen dorë dhe shtyrjen e pagave mujore. Kjo marrëveshje u bë e njohur si "Karta Ronaldo", një dokument me vlerë 19.6 milionë euro që u gjet nga hetuesit në zyrën e një prej avokatëve të klubit. Pas transferimit të sulmuesit te Mançester Junajtid, kjo marrëveshje u zbeh, duke e shtyrë futbollistin që të padiste ish-skuadrën e tij për të marrë paratë.

Në muajin prill të vitit 2024, Kolegji i Arbitrazhit doli në përfundimin se Juventusi duhej t'i paguante kampionit portugez rreth 9.8 milionë euro, plus interesat, duke njohur një përgjegjësi parakontraktuale të klubit, por duke përgjysmuar pretendimin fillestar prej gati 20 milionë eurosh. Klubi bardhezi e kundërshtoi këtë vendim në Seksionin e Punës të Gjykatës së Torinos, por ky ankimim u refuzua më 13 janar të vitit 2026. Gjyqtarët vlerësuan se nuk kishte gabime formale në vendimin e arbitrazhit dhe e dënuan Juventusin me pagimin e rreth 80 mijë eurove shtesë për shpenzime ligjore.

Për të mos u dorëzuar, Juventusi bëri njoftimin e ankimimit në Gjykatën e Kasacionit më 27 mars 2026 dhe tashmë është në pritje të caktimit të datës së seancës.

Megjithatë, klubi ka sqaruar në bilancin e tij se ky veprim i ri ligjor nuk do të sjellë shpenzime të reja. Shuma e përcaktuar prej 9.8 milionë eurosh ishte llogaritur dhe i ishte paguar plotësisht lojtarit gjatë sezonit 2023-2024.

Tashmë, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë vetëm legjitimitetin juridik të vendimeve të mëparshme. Nëse gjyqtarët pranojnë argumentet e Juventusit, klubi torinez mund të arrijë të përmbysë vendimin e mëparshëm dhe të rikuperojë miliona eurot e derdhura tashmë në llogarinë e ish-yllit të tyre.





Lajmet e fundit nga