
Policia e Shtetit ka reaguar për tensionet dhe përplasjet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar mesditën e sotme para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas policisë, 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa si pasojë e përplasjeve janë lënduar gjashtë punonjës policie dhe një gazetare.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se kishte hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tubimit.
Sipas versionit të policisë, një grup protestuesish kanë dëmtuar fillimisht rrethimin e jashtëm të godinës së Ministrisë së Arsimit dhe më pas portën hyrëse, me qëllim hyrjen në oborrin e institucionit. Më tej, ata kanë goditur me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.
Policia pretendon se efektivët u kanë bërë disa herë thirrje protestuesve të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata nuk u janë bindur urdhrave dhe kanë vijuar të godasin punonjësit e policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.
Në këto kushte, sipas njoftimit, strukturat e policisë kanë ndërhyrë për neutralizimin e personave të përfshirë në veprimet e dhunshme dhe rivendosjen e rendit, duke shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
Si pasojë e përplasjeve, gjashtë punonjës të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një shtetase, gazetare, kanë mbetur të lënduar. Policia bën me dije se të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë protestës, si dhe për nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.

