POLITIKË /

Rama nga Luksemburgu: Mbyllim kapitullin e radhës me BE, synojmë të përparojmë më tej brenda vitit

Rama theksoi se qeveria shqiptare synon të ecë përpara me negociatat në përputhje me afatet e përcaktuara.

Shkruar nga Versus

Rama nga Luksemburgu: Mbyllim kapitullin e radhës me BE, synojmë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Luksemburgu se Shqipëria do të mbyllë sot një tjetër kapitull të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë u shpreh optimist për ecurinë e procesit, duke theksuar se synimi është të avancohen negociatat dhe të mbyllen sa më shumë kapituj brenda këtij viti.

Në një deklaratë për mediat, Rama tha se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është i pandalshëm, ndërsa bëri të ditur se ka zhvilluar edhe disa takime që, sipas tij, kanë qenë inkurajuese për hapat e ardhshëm të procesit.

“Jemi kthyer për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar se përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë, sapo kam zhvilluar disa takime inkurajuese për atë që vjen më pas. Planet janë ambicioze brenda këtij viti”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se qeveria shqiptare synon të ecë përpara me negociatat në përputhje me afatet e përcaktuara.

“Synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj dhe jam absolutisht i bindur se, sa i takon palës sonë, do të jemi në çdo hap plotësisht në përputhje me afatet”, deklaroi ai.

Kryeministri nuk dha një shifër të saktë për numrin e kapitujve që Shqipëria synon të mbyllë gjatë këtij viti, por konfirmoi se me kapitullin e radhës, numri i tyre do të arrijë në katër.

“Nuk do të thosha shifrën se sa kapituj do të mbyllen, por sot do të mbyllim edhe një kapitull tjetër, që bëhen katër gjithsej. Kanë mbetur të paktën edhe dyfish më shumë, që pritet të jetë shifra, të paktën për këtë vit, por le të shohim”, përfundoi Rama./Versus.al

 

Poll