Shqipëria ka si objektiv të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Brukseli e mbështet këtë ambicie, por theksoi se vendi duhet të vijojë reformat dhe të japë rezultate konkrete.
Deklarata u bë në Luksemburg, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin irlandez për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, ku u shënua mbyllja e negociatave për kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Kos përgëzoi institucionet shqiptare për këtë arritje, duke vënë në dukje se kapitulli lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e bizneseve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas saj, reformat do të sjellin përfitime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa përafrimi me politikat industriale të BE-së është i rëndësishëm për zhvillimin e teknologjive të reja, teknologjisë së pastër dhe sektorëve strategjikë.
“Shqipëria i ka vënë vetes objektivin ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt deri në vitin 2027. Ne e mbështesim këtë ambicie, por, për ta arritur atë, Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate, sidomos në fushën e Themeloreve”, u shpreh Kos.
Ajo nënvizoi se procesi i integrimit nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e qeverisë, por një përpjekje e përbashkët që përfshin edhe opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët, pasi anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar.
Komisionerja europiane tha gjithashtu se Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian përpara vitit 2030, ndërsa shtoi se vetë BE-ja po përgatitet për zgjerimin e ardhshëm.


