Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vënë në qendër të fjalës së tij në një takim me strukturat e partisë në Dibër vështirësitë ekonomike të qytetarëve, duke u ndalur te pensionistët dhe familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike.
Berisha pretendoi se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet më elementare, ndërsa solli në vëmendje shifrat që, sipas tij, dëshmojnë përmasat e problemit.
Ai deklaroi se mbi 460 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme, ndërsa disa familje përfitojnë vetëm 3 mijë lekë ndihmë ekonomike.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së e përshkroi gjendjen sociale të vendit si shqetësuese dhe e lidhi atë me zhvillimet e 14 viteve të fundit. Ai tha se ripërtëritja e Shqipërisë do të jetë misioni i opozitës, duke përmendur ndër të tjera edhe rënien e lindshmërisë dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.
Për të ilustruar vështirësitë me të cilat përballen qytetarët, Berisha rikujtoi një ngjarje të vitit 1986, kur punonte në spitalin e Dibrës. Ai tregoi se kishte përgatitur një recetë për një pacient me hipertension, por ky i fundit kishte refuzuar t’i merrte ilaçet, edhe pse kushtonin vetëm 12 qindarka.
Sipas rrëfimit të Berishës, pacienti i kishte shpjeguar se me të ardhurat ditore prej 15 qindarkash duhej të siguronte bukën për veten dhe bashkëshorten, ndaj nuk mund të shpenzonte për ilaçet.
Berisha tha se kjo ngjarje e kishte tronditur dhe e përdori si shembull për të treguar se pamundësia për të përballuar njëkohësisht ushqimin dhe trajtimin shëndetësor mbetet një problem i rëndë social.
“Doktor, faleminderit shumë, por nuk e marr. […] Unë 15 qindarka marr ditën e punës dhe me to duhet të blej bukën bashkë me shoqen time, gruan që kam në shtëpi”, citoi Berisha fjalët e pacientit.
Në përfundim, kreu i opozitës e paraqiti përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale si pjesë të misionit të ri politik të Partisë Demokratike.













