Kryetari i PD, Sali Berisha, duke folur në Dibër, ka deklaruar se në javën e parë të qeverisjes do të vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh dhe se rrogat e pensionet do të dyfishohen.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës se ka zhytur qytetarët në varfëri, ka dëmtuar ekonominë dhe ka lejuar përhapjen e një sistemi që, sipas tij, favorizon vjedhjen e fondeve publike.
Berisha u ndal te pasojat ekonomike që, sipas tij, ka sjellë lidhja mes trafikut të drogës dhe strukturave shtetërore. Ai kujtoi raportin e SHISH-it të vitit 2017, për të cilin tha se evidentonte përfshirjen e 120 oficerëve madhorë të policisë në mbjelljen e kanabisit, pa përfshirë efektivët e tjerë.
Si shembull të goditjes së ekonomisë, ai përmendi sektorin fason, duke treguar se një sipërmarrje në Shkodër, që më parë kishte 200 punëtorë, tashmë kishte vetëm 30. Berisha foli edhe për krizën e sektorit të bimëve mjekësore, ku, sipas tij, dhjetëra mijëra fermerë siguronin të ardhura nga mbledhja dhe eksporti i tyre.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:
Në vitin 2017 kur SHISH dorëzoi një raport ku thoshte se në mbjelljen e kanabisit morën pjesë 120 oficerë madhorë policie, pa llogaritur policët e thjeshtë, me mijëra, atëherë kam denoncuar para jush dhe botës narkoshtetin shqiptar.
Se po ta mori droga policinë, i mori edhe aeroportet e ushtrisë niseshin avionët, natyrisht shtetin e kishte marrë droga.
Sigurisht që kjo pati mospëlqim të madh.
Por unë kam mbetur dhe do të qëndroj gjithmonë skllav i interesit kombëtar të shqiptarëve. Do e mbroj atë, nuk ka gjë në botë që më heq mua nga kjo.
Në atë kohë, të jemi të sinqertë, nuk kishte pasoja të qarta ekonomike.
Por ato pasoja erdhën sot dhe janë të tmerrshme.
Më tregonte një deputete sot, isha në Shkodër tek një fason, kishte pasur 200 punëtorë, kishte gjithsej 30 punëtorë.
Nga Vermoshi në Pogon dhe Kakavijë, Shqipëria është një vend me një florë të jashtëzakonshme, më të larmishmen, më të pasurën në Evropë, me bimë mjekësore nga më të kushtueshmet, të të gjitha llojet.
Ato ishin një eksport, por në radhë të parë me dhjetëra mijëra fermerë siguronin një rrogë, dy rroga, tre rroga në kohën e tyre me mbledhjen e tyre.
Çfarë ndodhi?
Me rrënimin e dollarit dhe të euros, falimentim masiv dhe përparësi të madhe merr Serbia.
Duhet të themi të vërtetën. Ka një regjim autokratik gangsterësh, por nuk është një narkoshtet si narkoshteti i Edi Ramës. Jo. Atje eksportet funksionojnë. Vendet e punës janë. Në Shqipëri, masivisht.
Pra mund të vazhdoj me një listë të gjatë të problemeve të mëdha dhe të rënda me të cilat përballet Shqipëria, por mbi të gjitha me të cilat përballet qytetari shqiptar, që sot konsiderohet statistikë. Konsiderohet numër dhe jo njeri me univers të drejtash, me univers kërkesash dhe problemesh.
Këtu duhet të ndalemi ne.
Ne kemi një të shkuar. Në atë të shkuar, çdo shqiptar gjen disa arritje të mëdha, të pamohueshme, të rëndësishme. Por asnjë shqiptar nuk do ta votojë ne për ato arritje. Jo. Ato janë në muzeum. Shqiptarët do na votojnë ne për vizionin që do u paraqesim për ta ripërtërirë Shqipërinë.
Dhe këtë ripërtëritje ne do ta nisim pikërisht me një ndryshim rrënjësor në qëndrimin tonë ndaj qytetarit, ndaj halleve, problemeve, vuajtjeve, sakrificave, mungesave të tij.
Ne duhet të përmbysim një qëndrim çnjerëzor që varfërinë e quan paaftësi. Që padrejtësinë e shikon me indiferencë ndaj qytetarit. Që i përvetëson atij fonde e pasuri sikur të ishte një kolonialist.
Ne, me programin tonë, me sugjerimet tuaja, me propozimet tuaja, zotohemi se Shqipërisë në emergjencë do t’i bëjmë terapinë emergjente.
Do t’i japim asaj të gjitha zgjidhjet për ta nxjerrë së pari nga emergjenca, nga vuajtjet, nga dhimbja, nga mospasja.
A është e mundur kjo? Plotësisht. 100 përqind.
Javën e parë do vendoset që çdo shqiptar do marrë 200 euro minimumin jetik, se do rritet edhe më shumë.
Po, nuk mund të jetë kurrë problem kafshata. Është krim. Është krim shtetëror që qytetarët e këtij vendi të kenë problem kafshatën e gojës.
Nuk mund të ketë kurrë problem për ilaçet. Është krim shtetëror që qytetarit në spital apo jashtë t’i mungojnë ilaçet.
U garantoj se kjo nuk mund të ndodhë më.
Një qëndrim për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve si kusht për ta nxjerrë Shqipërinë nga emergjenca.
Po ku do merren këto para?
Këto para të gjitha janë.
Edhe njëherë, nuk kam asnjë dëshirë të flas për të shkuarën, por po u them këtu, ne kemi pasur nivelet e taksave 50 përqind më të ulëta se ne besojmë se taksat e ulëta janë rruga më e drejtë për të rimëkëmbur shqiptarët.
Ky mburret dhe thotë se mbledh 8 miliardë. Jo, ne mblidhnim 3.8 gjer 4 miliardë, të tjerat ua linim, nuk ua merrnim.
Por me ato 3.8 deri 4 miliardë ne dyfishuam rrogat dhe pensionet.
Por me ato 3.8 deri 4 miliardë ne ndërtuam 11 mijë e 300 kilometra rrugë në mbarë vendin.
Me ato 3.8 deri 4 miliardë në vit ne ndërtuam mbi 1300 shkolla dhe objekte arsimore.
Ne sollëm Shqipërinë në moshën dixhitale.
Pse po i them këto? Edhe njëherë, janë të shkuara, janë në muzeum, por po i them këto për t’u garantuar se paratë janë dhe pa asnjë lloj vështirësie.
Ka një kusht, të mos vidhen në mënyrë të tmerrshme siç vidhen sot.
Ka një kusht, të mos ndahen brenda një grupi hajdutësh të pamëshirë, të pashpirt që urrejnë të varfrit, që urrejnë njerëzit.
Dhe këtu qëndrojmë.
© SYRI.net
VIDEO/ Berisha: Studentët bënë një përballje epike me falangat e Ramës. Ai është në kohërat e fundit të regjimit të tij antishqiptar
VIDEO/ Berisha: Ripërtëritja e Shqipërisë synon mbi të gjitha shndërrimin në mirëqenie të taksave dhe pasurive të shqiptarëve
Koçeku: Ervin Demo nisi detyrën me dhunë ndaj studentëve, hiqni duart nga të rinjtë që protestojnë!