Protesta në Tiranë është shoqëruar me incidente të tjera, këtë herë në një filial të institucionit financiar “IuteCredit”, ku protestuesit kanë dëmtuar ambientet e brendshme dhe orenditë e zyrës.
Në pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ambientet e filialit shihen të dëmtuara, ndërsa orenditë janë thyer gjatë incidentit. Në video shfaqet edhe një i ri që tenton të hapë bankomatin e dëmtuar, në përpjekje për të marrë paratë që ndodhen brenda tij.
Protesta e nisur në orën 14:00 është shoqëruar me tensione dhe përplasje në disa zona të kryeqytetit. Gjatë tubimit janë raportuar dëmtime të pronës dhe incidente të tjera, ndërsa situata është përshkallëzuar.
Deri tani, nuk ka informacion të plotë mbi vlerën e dëmeve të shkaktuara në filialin e “IuteCredit” apo nëse është arritur të merret para nga bankomati.
