
Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është përshkallëzuar rreth orës 20:00, pas afro gjashtë orësh tubim dhe përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Efektivët kanë ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa raportohet për dhjetëra persona të shoqëruar në polici.
Protesta nisi rreth orës 14:00, fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, por më pas u shtri edhe në zona të tjera të kryeqytetit, veçanërisht përgjatë Rrugës së Durrësit, ku u regjistruan incidente dhe akte dhune.
Gjatë tubimit, situata u tensionua pas disa orësh qëndrimi të protestuesve në rrugë. Përplasjet me policinë u intensifikuan, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës.
Më herët, protestuesit dëmtuan një filial të një institucioni financiar. Nga ambientet e biznesit u nxorën mobilie dhe sende të tjera, të cilave iu vu flaka në mes të rrugës, duke shkaktuar dëme materiale.
Përshkallëzimi vijoi deri në mbrëmje, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit dhe për të rivendosur rendin.
Ndërkohë, dhjetëra persona janë shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme procedurale./Versus.al

