Policia e Edi Ramës ka vijuar shoqërimet dhe ndërhyrjet ndaj studentëve që protestojnë në Tiranë, duke përdorur gaz lotsjellës dhe forcën fizike.
Gjatë raportimit live në SYRI TV, gazetarët në terren kanë pasqyruar momentet kur efektivët e policisë ndërhynë mes protestuesve dhe shoqëruan të rinj.
‘Po hidhet gaz lotsjellës. Po bëhen shoqërime të tjera, është duke u hedhur sërish gaz lotsjellës’, raportohet gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në SYRI TV.
Gazetarja në terren denoncoi përdorimin e forcës nga efektivët e policisë, duke theksuar se në disa raste disa punonjës policie janë përfshirë në shoqërimin e një të riu.
‘Mblidhen 6 apo 7 efektivë policie për të shoqëruar një të ri përmes dhunës’, raportoi gazetarja, ndërsa kamerat e SYRI TV pasqyronin ndërhyrjen e policisë.
Gjatë raportimit u bë e ditur gjithashtu se në zonën pranë Piazzës ishin afruar efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa vijonin shoqërimet dhe përdorimi i gazit lotsjellës. Në zonë ndodheshin edhe shërbimet zjarrfikëse, ndërsa protestuesit ishin shpërndarë në disa drejtime.
Pamjet dhe raportimi i SYRI TV pasqyruan përshkallëzimin e ndërhyrjes policore gjatë protestës studentore në Tiranë.
© SYRI.net