web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kur Shqipëria digjet, Carlo dhe Plaku Mere zbulojnë merakun e tyre për një zile telefoni

13 Tetor 2026, 20:56, Opinione CNA

Kur Shqipëria digjet, Carlo dhe Plaku Mere zbulojnë merakun e tyre

Ndërsa Tirana zien nga protestat, ndërsa qeveria sheh njerëzit e saj të parakalojnë në SPAK dhe të tjerë pritet të kalojnë, ndërsa gjyqi i Erion Veliajt zvarritet prej më shumë se një viti dhe seancat në GJKKO shtyhen njëra pas tjetrës, Carlo dhe Plaku Mere kanë gjetur kauzën e tyre të madhe te zilja e një celulari që thuhet se i ka rënë Ols Dados gjatë një seance.

Ky është gjithë spektakli, ky është shqetësimi që këta dy personazhe duan t’i imponojnë publikut për sot, sikur Shqipëria të mos ketë as protesta, as skandale, as njerëz të pushtetit që përballen me hetime, as një proces gjyqësor që duket sikur nuk ka ndërmend të nisë ndonjëherë. Kur realiteti bëhet i pakëndshëm për njerëzit që kanë interes të zhvendosin vëmendjen, gjithmonë gjendet një zile telefoni për ta shitur si ngjarjen e ditës.

Por ajo që e bën këtë histori edhe më domethënëse nuk është telefoni, është profili i atyre që e kanë ngritur në nivelin e një kauze. Carlo nga Lecce dhe Plaku Mere, secili me mënyrën e vet, sillen sikur detyra e tyre kryesore të jetë të përcaktojnë se për çfarë duhet të flasë publiku dhe çfarë duhet të mbetet jashtë diskutimit. Nuk është hera e parë që një çështje periferike fryhet deri në grotesk, ndërsa problemet e mëdha të vendit kalojnë në plan të dytë.
Për ta, rëndësia e një lajmi duket se nuk matet me atë që i sjell publikut, por me atë se sa mirë mund të shërbejë për të goditur një objektiv dhe për të shmangur një debat që do të ishte shumë më i sikletshëm.

Plaku Mere zgjedh të bëjë zhurmë për zilen e një telefoni, në një kohë kur prokurorët paraqiten në GJKKO dhe përfundojnë duke pritur shtyrjen e radhës, pa bërë asnjë seancë. Një proces që zvarritet prej më shumë se një viti do të duhej të ishte arsye e mjaftueshme për të kërkuar llogari, për të pyetur pse drejtësia nuk po ecën dhe kush përfiton nga kjo humbje kohe.

Por këto janë pyetje që kërkojnë të merresh me thelbin, jo të prodhosh spektakël me një episod të vogël. Është shumë më e lehtë të bësh zhurmë për një zile sesa të përballesh me pamjen e madhe të një vendi ku protestat vazhdojnë, pushteti është nën presion dhe proceset gjyqësore zvarriten.

Te Carlo nga Lecce, ndërkaq, shfaqet një tjetër kontradiktë, ajo e njeriut që përdor llapaqenërinë e disa portaleve për të goditur, për të shpërndarë mesazhe dhe për të ushtruar presion përmes publikimeve që mund të marrin karakter shantazhues, por që njëkohësisht nuk dëshiron të identifikohet si pronari de facto i tyre. Carlo kërkon përfitimin e zhurmës pa barrën e lidhjes me burimin që e prodhon, kërkon që mesazhi të arrijë aty ku duhet, por jo që publiku ta lidhë atë me njeriun që qëndron pas kësaj mënyre veprimi.

Është komoditeti i dikujt që dëshiron të ketë ndikimin, por jo edhe identifikimin me mjetet përmes të cilave ushtrohet ai ndikim. Dhe sa më shumë përpiqet të ruajë këtë distancë, aq më shumë bie në sy meraku për të kontrolluar jo vetëm atë që publikohet, por edhe mënyrën se si publiku e kupton lidhjen mes mesazhit dhe atij që përfiton prej tij.

Në këtë pikë, Carlo dhe Plaku Mere ngjajnë në një gjë thelbësore, dëshirën për të diktuar temën e ditës, për të ngritur zhurmë rreth asaj që u intereson dhe për ta mbajtur publikun të zënë me episode që nuk e ndryshojnë aspak thelbin e problemeve të vendit. Njëri përmes mekanizmit të portaleve me të cilat nuk dëshiron të identifikohet si pronar de facto, tjetri përmes amplifikimit të një gjësendi që mezi mund të duket kur të qërrohen përditë sytë me ato që po ndodhin në Shqipëri, të dy kontribuojnë në një debat ku zhurma kërkon të zërë vendin e përgjegjësisë. Nuk kanë nevojë të thonë se duan të zhvendosin vëmendjen, mjafton të shohësh se çfarë zgjedhin të vënë në qendër dhe çfarë lënë jashtë saj.

Ndërkohë, bojkoti i seancave në GJKKO dhe zvarritja e proceseve nuk bëhen më pak problematike sepse dikush ka vendosur të flasë për një zilr celulari dhe foto të gjeneruar me IA. Rregullat e gjykatës nuk mund të shndërrohen në armë selektive, që kujtohen me zell kur mund të përdoren kundër një prokurori, ndërsa harrohen kur vetë procesi bojkotohet. Drejtësia nuk është një skenë ku disa zgjedhin kur të hyjnë, kur të dalin dhe cilin detaj të kthejnë në skandalin e radhës, ndërsa publiku duhet të duartrokasë çdo zhurmë që i serviret.

Por nëse qëllimi është të ngacmohen prokurorët, të krijohet presion mbi ta dhe të ndërtohet një klimë ku çdo detaj përdoret për t’i sulmuar, atëherë Carlo dhe Plaku Mere, si përherë do përfundojnë duke bërë të kundërtën e asaj që synojnë. Sepse këto fushata nuk kanë pse t’i bëjnë prokurorët më pak këmbëngulës, përkundrazi duhet t’i bëjnë edhe më të zellshëm, më të vëmendshëm dhe më të vendosur për të çuar hetimet deri në fund dhe madje të hapin të tjera.

Çfarëdo të përpiqen të bëjnë këto dy personazhe, që për nga ligësia të kujtojnë macen dhe dhelprën te Pinoku, shqiptarët e kuptojnë mirë pse një proces si ai i Erion Veliajt zvarritet prej më shumë se një viti, pse seancat shtyhen dhe pse njerëz që pretendojnë se shqetësohen për interesin publik zgjedhin të bëjnë spektakël me çështje periferike. Carlo mund të përpiqet të mbajë larg vetes identifikimin me portalet që përdor, ndërsa Plaku Mere mund të vazhdojë të bëjë zhurmë për atë që i duket më e leverdishme, por asnjëri nuk mund ta kthejë një zile telefoni në ngjarjen më të rëndësishme të një vendi që po zien nga problemet.

Kur vendi digjet, pushteti përballet me hetime dhe drejtësia humbet muaj e vite në procese që shtyhen, Carlo dhe Plaku Mere zgjedhin të bëjnë zhurmë për një zile telefoni. Si gjithmonë të vegjël, por këtë radhë nuk është zilja që i bën të duken të tillë. Të vegjël i bëjnë të duken përmasat e merakut të tyre përballë përmasave të problemeve të Shqipërisë.





13:19 Opinione Afrim Krasniqi

KOHË REFORMASH

Zgjohen në mëngjes, u vjen një ide, dalin para mediave dhe...

15:05 Opinione Ermal Mulosmani

Sokoli ynë

Si sot dy vjet më parë, më doli sot te “memory”, Sokoli yn...

Lajmet e fundit nga