Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka reaguar pas lëndimit të dy gazetarëve dhe vështirësive me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e zhvilluar sot në Tiranë.
Përmes një reagimi, Krasniqi ka shprehur solidaritetin me gazetarët e lënduar, duke bërë të ditur se, pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është informuar se ata nuk ndodhen më në ambiente spitalore.
Kryetarja e AMA-s ka theksuar rëndësinë e garantimit të kushteve të sigurta për gazetarët, gazetaret dhe operatorët në terren, veçanërisht në situata të tensionuara. Ajo i ka bërë thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa ka kërkuar nga Policia e Shtetit vëmendje të veçantë për sigurinë e tyre gjatë raportimit.
Reagimi i plotë i Armela Krasniqit:
“Me shqetësim kam ndjekur raportimet për lëndimin e gazetareve dhe gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë. Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u informova se kolegët e lënduar nuk ndodhen më në ambiente spitalore. U uroj shërim të shpejtë dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët që po raportojnë nga terreni.
Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni.
U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit.
Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje.”