Papa Leone XIV i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri në spitalin Gemelli të Romës. Operacioni, që kishte për qëllim heqjen e një nyjëze në mushkëri, ka përfunduar me sukses, brenda kohës së parashikuar dhe sipas planit mjekësor.
Sipas Sallës së Shtypit të Vatikanit, pas ndërhyrjes Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij në spital. Operacioni u krye nga ekipi i kirurgjisë, i drejtuar nga profesori Stefano Margaritora.
Papa, emri i të cilit është Robert Francis Prevost, mbërriti në spitalin Gemelli të martën, më 13 tetor, rreth orës 13:00. Sipas mediave italiane, ai u largua nga Vatikani përmes Portës së Perugino-s, duke përshëndetur personat e pranishëm. Në hyrje të spitalit e prisnin shumë njerëz, të cilët e përshëndetën me përzemërsi.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu shpresën që problemi shëndetësor i Papës të zgjidhet sa më shpejt.
“E takova Papën mbrëmjen e djeshme dhe biseduam me shumë qetësi. Ai është një shembull i madh edhe në këtë drejtim”, deklaroi Parolin për gazetarët, duke iu referuar qetësisë me të cilën Ati i Shenjtë kishte folur për problemin shëndetësor.
“Jemi në fillim të kësaj vështirësie dhe shpresojmë që problemi të zgjidhet sa më shpejt. Jemi optimistë dhe e shoqërojmë me lutjet tona”, shtoi kardinali.
Sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, për shtrimin e Papës është hartuar një plan i veçantë sigurie. Masat përfshijnë kontrollin e hyrjeve dhe daljeve, si dhe përdorimin e kodeve alfanumerike ose pseudonimeve gjatë regjistrimit të analizave, për të mbrojtur privatësinë e tij.
Leone XIV nuk po qëndron në apartamentin e rezervuar për Papët, pasi ai është në rikonstruksion, por në një hapësirë tjetër në katin e dhjetë të spitalit. Kjo zonë është izoluar nga pjesa tjetër e kompleksit dhe hyrja lejohet vetëm me autorizimin e Prefekturës së Shtëpisë Papnore.
Vatikani ka bërë të ditur se do të japë informacione të tjera për gjendjen shëndetësore të Papës në vijim.


