I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Lapaj tha se ngjarjet e sotme e kanë kaluar debatin politik, duke e konsideruar të papranueshme atë që, sipas tij, ndodhi me një protestues që kishte këmbën e thyer dhe u transportua nga efektivët e policisë.
Ai e krahasoi rastin me një ngjarje të mëparshme në Zvërnec, ku, sipas tij, një qytetar ishte tërhequr zvarrë nga forcat private të sigurisë.
“Nuk ka kuptim që të flasim më për politikë apo për gjëra të tjera. Ajo që ndodhi në Zvërnec, ku një qytetar u mor zvarrë nga forcat private të sigurisë, sot është përsëritur. Është marrë zvarrë nga forcat e shtetit një djalë me këmbën e thyer”, deklaroi Lapaj.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” u shpreh se situata kërkon reflektim të menjëhershëm, ndërsa ngriti shqetësimin për gjendjen e të rinjve që ndodhen në spital pas përplasjeve.
“Sot po konsumohet një dramë në Spitalin e Traumës: të rinj që po luftojnë me jetën për shkak se janë çuar kundër varfërisë!”, tha ai.
Në përfundim, Lapaj apeloi që ngjarjet e sotme të mos kalohen pa një reflektim serioz, duke ngritur pyetjen se çfarë duhet të ndodhë më shumë që situata të merret me seriozitet.
“Kjo që ka ndodhur sot në Tiranë është një moment ku të gjithë duhet t’i thërrasin mendjes”, përfundoi ai













