Zjarri që përfshiu gjatë natës një apartament në pallatin e banesave sociale në Shkozë, ku humbën jetën dy të moshuar, rezulton të ketë qenë i qëllimshëm. Pas hetimeve të para, Policia ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili dyshohet se i vuri flakën banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 në rrugën "Ali Shefqeti", ku flakët përfshinë një apartament në kompleksin e banesave sociale. Fillimisht u raportua për një zjarr që kishte shkaktuar panik mes banorëve, por hetimet e kryera nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët e zjarrvënieve zbuluan se bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Sipas Policisë, autor i dyshuar është A. I., 35 vjeç, i cili dyshohet se i vuri zjarrin banesës ku jetonin I. Z., 65 vjeçe, dhe A. Z., 68 vjeç, prindërit e bashkëjetueses së tij. Të moshuarit u nxorën nga banesa dhe u dërguan në spital, por nuk arritën t'u mbijetonin plagëve të marra.
Flakët krijuan momente paniku edhe për banorët e tjerë të pallatit. Dy persona, njëri prej tyre i mitur, tentuan të hidhen nga dritarja për t'i shpëtuar zjarrit, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve. Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet edhe momenti kur një zjarrfikës shpëton një vajzë që kishte dalë në dritare, ndërsa qytetarët e mbledhur jashtë pallatit e duartrokasin.
Policia bëri të mundur arrestimin e 35-vjeçarit menjëherë pas ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje.






Komente
Komento