Një çift bashkëshortësh Ismete dhe Agim Ziu, respektivisht 65 dhe 68-vjeçar kanë humbur jetën në spital vetëm disa orë pasi banesa e tyre në zonën e banesave sociale në zonën e Shkozës në Tiranë kishte marrë flakë.
Fillimisht u raportua si zjarr aksidental, por vetëm pak orë më vonë, policia njoftoi se për ngjarjen kishte prangosur një 35-vjeçar, bashkëjetuesin e vajzës së dy viktimave, me të cilën ka dhe një fëmijë
Pak pas mesnatës, rreth orës 00:30 Astrit Idrizi dyshohet se është ngjitur në apartament dhe i ka vënë zjarrin banesës së tyre me qëllim. Ende janë të paqarta rrethanat apo konflikti i Idrizit me prindërit e partneres së tij.
Të moshuarit u nxorën nga banesa dhe u dërguan në spital, por nuk arritën t'u mbijetonin plagëve të marra.
Flakët krijuan momente paniku edhe për banorët e tjerë të pallatit. Dy persona, njëri prej tyre i mitur, tentuan të hidhen nga dritarja për t'i shpëtuar zjarrit, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve.
Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet edhe momenti kur një zjarrfikës shpëton një vajzë që kishte dalë në dritare, ndërsa qytetarët e mbledhur jashtë pallatit e duartrokasin.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Report Tv ka siguruar foton e Astrit Idrizit, 35-vjeçarit të arrestuar si autor i dyshuar i zjarrit në banesat sociale në Shkozë, ku humbën jetën dy të moshuar. Në pamje ai shihet i shoqëruar nga efektivët e Policisë, menjëherë pas arrestimit. Sipas hetimeve paraprake, Idrizi dyshohet se i vuri flakën banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Astrit Idrizi, 35-vjeçari i arrestuar për zjarrin në banesat sociale në Shkozë ku humbën jetën dy të moshuar, dyshohet se e kreu krimin pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëjetuesen e tij. Burime për Report Tv bëjnë me dije se çifti kishte edhe një fëmijë, ndërsa prej kohësh marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar.
Sipas të njëjtave burime, Idrizi u ka thënë hetuesve se dyshonte që bashkëjetuesja e tradhtonte. Këto dyshime, sipas burimeve, kishin sjellë debate të vazhdueshme mes tyre dhe kishin bërë që çifti të largohej nga njëri-tjetri.
Hetimet paraprake dyshojnë se ky konflikt është edhe motivi që e shtyu 35-vjeçarin t'i vinte flakën banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij, ku në atë moment ndodheshin 65-vjeçarja I. Z. dhe 68-vjeçari A. Z. Të dy u nxorën të gjallë nga banesa dhe u transportuan në spital, por nuk arritën t'u mbijetonin plagëve.
Në apartament ndodheshin edhe bashkëjetuesja e Astrit Idrizit dhe fëmija i tyre. Ata u shpëtuan nga zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë, të cilët ndërhynë për evakuimin e banorëve pas përhapjes së flakëve. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, nëna dhe fëmija ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Astrit Idrizi u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e krimit.









Komente
Komento