Nikolloski: Gjashtë autostrada po ndërtohen paralelisht

Maqedonia e Veriut po zhvillon në të njëjtën kohë punime për gjashtë segmente autostrade, me synimin për të përmirësuar lidhjet rrugore ndërmjet qyteteve dhe për të lehtësuar qarkullimin në vend.

Të lidhura

None found

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, deklaroi se projektet kryesore janë në faza të ndryshme, ndaj edhe afatet e përfundimit nuk janë të njëjta për të gjitha segmentet.

Ndër projektet me rëndësi të veçantë është autostrada Kërçovë–Bukojçan, punimet për të cilën kanë nisur së fundmi. Nikoloski theksoi se kjo rrugë do të forcojë lidhjet e Shkupit me Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Ohrin dhe Strugën, si dhe do të ndihmojë në funksionalizimin e Korridorit 8.

Për shkak të relievit të vështirë malor, projekti parashikon ndërtimin e një tuneli, disa urave e viadukteve, si edhe të nyjeve rrugore.

Autostrada Prilep–Manastir dhe segmenti Tetovë–Gostivar, sipas ministrit, synohet të përfundojnë deri në fund të vitit 2029.

Segmenti Gostivar–Bukojçan përshkon zonë malore dhe përfshin një numër të madh urash. Përfundimi i tij parashikohet gjatë viteve 2029–2030. Ndërkohë, ndërtimi i autostradës Bukojçan–Kërçovë pritet të zgjasë katër vjet, megjithëse kompania ndërtuese ka premtuar se mund ta përfundojë projektin më herët.

Në rastin e autostradës Ohër–Kërçovë, Nikoloski pret që një pjesë e rrugës të vihet së shpejti në shfrytëzim, ndërsa përfundimi i të gjithë projektit do të varet edhe nga kushtet atmosferike.

Sipas tij, realizimi i këtyre ndërtimeve do të modernizojë infrastrukturën rrugore dhe do të shkurtojë kohën e lidhjes mes rajoneve të ndryshme të vendit.


Shtuar më 14.10.2026 08:23

Quantcast