Protestuesit e shoqëruar nga policia gjatë protestës së studentëve në Tiranë janë liruar gjatë natës nga Komisariati nr. 2.
Qindra studentë u mblodhën më 13 tetor përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar llogari për premtimet e pambajtura që prej vitit 2018, kur mijëra të rinj dolën në protesta masive për përmirësimin e kushteve në arsimin e lartë.
Protesta u shoqërua me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa mbi 40 persona u shoqëruan nga uniformat blu.
Gjatë incidenteve mbetën të lënduar disa protestues, mes tyre edhe gazetarë. Në gjendje më të rëndë paraqitet 19-vjeçari Ledjon Balla, i cili u dërgua në spital me këmbë të thyer dhe në gjendje të fikti. Ndihmë mjekësore mori edhe një përfaqësues diplomatik, i cili kishte pësuar dëmtime në kokë.












