Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Apple futet në shtëpitë tona?! Nga bravat inteligjente te kamerat, ja çfarë po përgatit!
Apple nuk po blen shtëpinë tuaj… akoma. Por po fillon nga dera. Sipas raportimeve, Apple po bashkëpunon me LG për një seri pajisjesh për shtëpinë inteligjente: bravë elektronike, zile dere, termostat dhe kamera sigurie. Të gjitha keto, pritet qe të lidhen me qendrën e re të Apple për shtëpinë, një ekran katror që mund të vendoset në mur ose mbi tavolinë. Pajisjet, çuditërisht, pritet të mbajnë emrin e markës LG. Dhe kjo është interesante, sepse Apple deri tani kontrollonte telefonin, orën, kufjet… Tani po vjen te dera: “Mirëdita. Kemi ardhur për termostatin.”
Lëvizja ka shumë kuptim. Amazon ka Ring, Google ka prej vitesh pajisje për shtëpinë, ndërsa Apple nuk do qe të rrijë jashtë thjeshte duke i rënë ziles. Por një bravë Apple, hap edhe një kategori krejt të re ankthi. Imagjino të dalësh një sekondë jashtë dhe dera të thotë: “Update required.”
Ti me pizhame jashtë. Dera e mbyllur. Wi-Fi nuk kap. Në dorë ke iPhone-in 1,500 euro dhe i vetmi person që mund të të shpëtojë është komshiu me një kaçavidë. Aty papritur të merr malli për çelësin metalik. Zero inteligjencë artificiale. Zero Bluetooth. Zero bateri. Thjeshte e fusje në brave… dhe dera hapej.
Google prezanton AI-në që zbulon vetë dobësitë e sigurisë! A po bëhen makineritë shumë të zgjuara?
Google sapo ka nxjerrë “modelin më të fuqishëm të inteligjencës artificiale që ka krijuar ndonjëherë”. Kjo fjali në industrinë e AI-së ka jetëgjatësi rreth dy ditë. Pastaj del dikush tjetër dhe thotë: “Jo. Ky qe them une është më i fuqishmi.”
Modeli quhet Gemini 4 Argon dhe Google e ka ndërtuar me prioritet për sigurinë kibernetike. Sipas kompanisë, ai mund të gjejë vetë dobësi serioze në programe, t’i verifikojë dhe të ndihmojë në korrigjimin e tyre. Aktualisht po u jepet vetëm partnerëve të përzgjedhur përmes programit Fairwind. Pra kemi ecur shumë. Para pak vitesh i kërkonim AI-së: “Ma bëj këtë email më profesional.”
Tani AI-ja futet në sistem, gjen problemin e sigurisë dhe e rregullon para se ti të kuptosh ku ishte. Google thotë se punonjësit e vetë tashmë e përdorin Argon për programim dhe korrigjim gabimesh, ndërsa sipas testeve që citon kompania, modeli kalon edhe disa rivalë të mëdhenj. Kjo pjesë më pëlqen gjithmonë. Është pak si të organizosh vetë garën, të mbash vetë kronometrin dhe në fund: “Rezultatet sapo dolën. Kam fituar.”
Gjithsesi, AI po bëhet çdo muaj më e zgjuar. Programon. Analizon. Zbulon dobësi. Ndërkohë njeriu vazhdon të klikojë: “Forgot password.” Ekuilibri i universit ruhet.
Trump pyeti AI-në e Elon Musk për kapjen e Maduros?! Zbulohen detajet e takimit sekret!
Një president, një miliarder dhe një chatbot hyjnë në një dhomë. Nuk është fillimi i një shakaje. Është raportim i TIME. Sipas revistës, në dhjetor të vitit 2025 Donald Trump pati një takim privat me Elon Musk dhe kaloi orë te tera duke folur me Grok, inteligjencën artificiale të Musk. Dhe nje nga disa prej pyetjeve ishte kjo: Si do të reagonin banorët e Venezuelës nëse Shtetet e Bashkuara do të kapnin presidentin Nicolás Maduro?
Po. Kjo pyetje iu bë chatbot-it. Sipas raportimit, Grok u përgjigj se Maduro ishte jopopullor dhe se shumë banorë të Venezulës mund ta festonin rrëzimin e tij. Rreth një muaj më vonë, më 3 janar, SHBA ndërhyri në Venezuelë dhe kapi Maduron. Pas reagimeve festive që pasuan, Trump thuhet se mbeti shumë i impresionuar nga Grok. Tani, qartë: kjo nuk do të thotë se Grok mori vendimin. Por fakti që AI ishte pjesë e një bisede të këtij niveli është… goxha moment. Unë ende kontrolloj në Google kur AI më thotë sa minuta duhet të ziej një vezë. Këtu po flasim për Venezuelën. Deri dje prisje në tavolinë gjeneralë, ekspertë, agjenci inteligjence, dosje sekrete. Tani mund të jetë edhe një chatbot.
AI e Meta-s lexoi mesazhet private pa leje?! Gazetari ngre alarmin, kompania mohon gjithçka!
Meta ka hyrë në një situatë që nuk ka shumë nevojë për shaka. Situata është vetë shaka. Një gazetar thotë se agjenti i ri i Meta-s, Muse, arriti të lexonte mesazhet e tij private në Mac edhe pse, sipas tij, leja Full Disk Access ishte e fikur. Meta thotë: E pamundur.
Sipas kompanisë, që Muse të lexojë mesazhet duhet të aktivizosh vetë Full Disk Access dhe lidhjen me Messages, madje duke kaluar disa hapa sigurie të macOS-it. Në rregull. Pastaj gazetari pyet vetë Muse: “Si i lexove mesazhet?”
Muse i jep një shpjegim që lidhej me njoftimet e kompjuterit. Dhe Meta përgjigjet: Jo. Muse është ngatërruar. Shpjegimi i AI-së është i gabuar.
Prit. Pra kemi një AI të akuzuar. Thërrasim AI-në si dëshmitare. AI-ja jep versionin e saj. Dhe kompania që e ndërtoi thotë: “Mos dëgjoni çfarë tha ajo.”
Ky është momenti kur duhet një avokat, jo një inxhinier. Dhe problemi për Meta-n është serioz: që këta agjentë të bëhen vërtet të dobishëm, duhet t’u japim akses te folderat, emailet dhe mesazhet tona. Pra pyetja nuk është vetëm: “A është Muse i zgjuar?”
Pyetja është: “A e dua kaq të zgjuar brenda kompjuterit tim.”
BMW kërkon 61 mijë dollarë për makinën elektrike të re, por kinezët ofrojnë të njëjtën teknologji me gjysmën e çmimit…
BMW ka bërë diçka shumë interesante me Serie 3 të re: praktikisht të njëjtën makinë, por në dy versione krejt të ndryshme. Nga njëra anë ke M350 xDrive me benzinë. Nga ana tjetër, i3 50 xDrive, komplet elektrike. Dhe elektrikja në letër është serioze: platformë më e re, teknologji më moderne, rreth 753km autonomi me një karikim dhe karikim të shpejtë që mund t’i shtojë rreth 330 km në vetëm 10 minuta.
Pra teknikisht? Shumë bukur. Pastaj shikon çmimin: 61,500 dollarë. Dhe këtu mua më humbi pak BMW-ja. Sepse për 61 mijë dollarë nuk po konkuron më vetëm me Mercedesin apo Audin. Tani ke edhe kinezët në dhomë. Dhe BYD aty rri shumë i qetë: “Sa the? 61 mijë?”
Sepse sot me rreth 30 mijë dollarë gjen makina elektrike kineze të mbushura me ekrane, kamera 360, asistenca, sedilje me masazh, teknologji… gjëra që te një gjermane shpesh fillojnë si: “Po, kjo është ekstra.”
Mos më keqkuptoni: Serie 3 me benzinë e kuptoj fare mirë. Është BMW. Motori, drejtimi, karakteri — aty po blen edhe eksperiencën. Por elektrikja? Në momentin që heq motorin nga ekuacioni, loja ndryshon. Tani po blej bateri, teknologji dhe pajisje. Dhe aty kinezët të thonë: “Mirë se erdhe në fushën tonë.”