Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Apple nuk po blen shtëpinë tuaj… akoma. Por po fillon nga dera. Sipas raportimeve, Apple po bashkëpunon me LG për një seri pajisjesh për shtëpinë inteligjente: bravë elektronike, zile dere, termostat dhe kamera sigurie. Të gjitha keto, pritet qe të lidhen me qendrën e re të Apple për shtëpinë, një ekran katror që mund të vendoset në mur ose mbi tavolinë. Pajisjet, çuditërisht, pritet të mbajnë emrin e markës LG. Dhe kjo është interesante, sepse Apple deri tani kontrollonte telefonin, orën, kufjet… Tani po vjen te dera: “Mirëdita. Kemi ardhur për termostatin.”
Lëvizja ka shumë kuptim. Amazon ka Ring, Google ka prej vitesh pajisje për shtëpinë, ndërsa Apple nuk do qe të rrijë jashtë thjeshte duke i rënë ziles. Por një bravë Apple, hap edhe një kategori krejt të re ankthi. Imagjino të dalësh një sekondë jashtë dhe dera të thotë: “Update required.”
Ti me pizhame jashtë. Dera e mbyllur. Wi-Fi nuk kap. Në dorë ke iPhone-in 1,500 euro dhe i vetmi person që mund të të shpëtojë është komshiu me një kaçavidë. Aty papritur të merr malli për çelësin metalik. Zero inteligjencë artificiale. Zero Bluetooth. Zero bateri. Thjeshte e fusje në brave… dhe dera hapej.