VIDEO/ E dhunuan policët dhe i thyen këmbën, flet 19-vjeçari nga Trauma: S’kisha lidhje fare me protestën
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka reaguar pas protestës së djeshme studentore para Ministrisë së Arsimit që zgjati mbi 8 orë.
Në deklaratën e tyre sindikata shpreh solidaritetin e plotë me studentët duke dënuar dhunën e djeshme ndaj tyre, teksa shton se zëri i tyre duhet të dëgjohet nga organet përgjegjëse.
Deklarata e plotë:
Sindikata e Universiteteve shpreh solidaritetin e plotë me studentët në protestat e tyre, si një shprehje legjitime e së drejtës kushtetuese për t’u organizuar dhe për të protestuar. Ne e konsiderojmë zërin e studentëve një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, që meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet. Sindikata shpreh indinjatën e saj për përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse për vetëpërmbajtje, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe garantimin e ushtrimit paqësor të së drejtës për protestë. Vlerësojmë se përshkallëzimi i situatës është pasojë e mungesës së reagimit dhe e neglizhimit të kërkesave të qytetarëve nga Qeveria dhe politika në tërësi. Edhe pas një proteste maratonë prej 135 ditësh, kërkesat qytetare dhe ato të studentëve nuk kanë marrë përgjigjen dhe vëmendjen e duhur. Mungesa e dialogut dhe e vullnetit për zgjidhje rrezikon të thellojë më tej mosbesimin ndaj institucioneve. Nuk është rastësi që studentët zgjodhën të protestojnë pikërisht para Ministrisë së Arsimit. Ata nuk shkuan atje si kundërshtarë të shtetit. Shkuan para institucionit që, sipas misionit të vet, u përket atyre. Kjo Ministri është shtëpia institucionale e çdo studenti, e çdo pedagogu dhe e çdo familjeje që sakrifikon për shkollimin e fëmijëve të saj. Në të njëjtën derë ka trokitur edhe Sindikata e Universiteteve, me shkresë zyrtare që në mars të këtij viti, dhe as ne nuk kemi marrë përgjigje. Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale. Ajo që ndodhi sot para Ministrisë së Arsimit është, mbi të gjitha, simboli i një marrëdhënieje të prishur mes institucionit dhe komunitetit që ai duhet ti shërbejë. Sindikata vlerson se Universiteti nuk mund të jetë spektator i heshtur kur studentët e tij kërkojnë dinjitet. Liria akademike dhe autonomia universitare nuk janë privilegje, por përgjegjësi: përgjegjësi për të mbrojtur mendimin kritik, të vërtetën dhe të drejtën e çdo të riu për një arsim që e çmon. Prandaj, Sindikata e Universiteteve u bën thirrje të gjithë pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik që të ngrenë zërin dhe të qëndrojnë krah studentëve. Kërkesat për arsim cilësor, për kushte dinjitoze studimi dhe pune, si dhe për një trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë, nuk janë çështje të veçuara. Ato janë kauza jonë e përbashkët. Sindikata i bën thirrje Qeverisë dhe të gjithë aktorëve politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen menjëherë në një proces real dialogu, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të studentëve dhe të personelit akademik. Përgjigjet formale, heshtja apo shtyrja e mëtejshme e zgjidhjeve nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe politike. Nëse konfigurimi aktual politik nuk arrin të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët dhe qytetarët, atëherë duhet të hapet rruga për zgjidhje politike që mundësojnë kapërcimin e krizës, në përputhje me parimet demokratike dhe vullnetin qytetar. Sindikata e Universiteteve rithekson se dialogu, përgjegjësia institucionale dhe zgjidhja konkrete e kërkesave janë e vetmja rrugë për të kapërcyer situatën e krijuar. Ne qëndrojmë në krah të studentëve dhe kërkojmë që zëri i tyre të dëgjohet, të respektohet dhe të marrë përgjigjen që meriton. Solidaritet me studentët! Respekt për të drejtën e protestës! Përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje konkrete për arsimin dhe shoqërinë!
Top Channel