Në mbrëmjen e së martës, një sulm rus me raketa balistike goditi një termocentral dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 21 të tjerëve, prej të cilëve katër ndodhen në gjendje kritike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina nuk kishte marrë asnjë paralajmërim paraprak nga partnerët e saj perëndimorë për këtë sulm.
Të lidhura
None found
Në një postim në platformën X, Zelensky bëri të ditur se objektivi kryesor ishte termocentrali CHPP-4, një prej impianteve të rëndësishme të prodhimit të energjisë në Kiev.
Ai shkroi se Ukraina u sulmua sërish me raketa balistike ruse pa asnjë paralajmërim nga partnerët, dhe se objektivi kryesor ishte infrastruktura energjetike, konkretisht stacioni CHPP-4, i cili fatkeqësisht u godit.
Zelensky theksoi se sistemet ukrainase të mbrojtjes i zbuluan raketat ruse ndërsa ato po i afroheshin kryeqytetit, duke ngritur shqetësime për mungesën e informacionit paraprak nga aleatët perëndimorë.
Ai shtoi se Rusia jo vetëm po shkatërron infrastrukturën energjetike të Ukrainës, por vendi as nuk merr paralajmërime për lëshimin e raketave balistike.
Përveç termocentralit, raketat goditën edhe një pallat banimi, i cili u përfshi nga flakët. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se si pasojë e sulmit humbën jetën dy persona dhe u plagosën 21 të tjerë, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Ndërkohë, në Kiev janë shtuar shqetësimet për vazhdimësinë e mbështetjes së inteligjencës nga aleatët perëndimorë, veçanërisht nga agjencitë amerikane. Ukraina mbështetet në këtë informacion për të marrë paralajmërime të hershme për sulmet ruse, si dhe për planifikimin e operacioneve të saj kundër objektivave në territorin rus.
Përkeqësimi i marrëdhënieve mes Zelensky-t dhe presidentit amerikan Donald Trump ka rritur brengat në kryeqytetin ukrainas se kjo mbështetje mund të kufizohet, duke ndikuar në aftësinë e vendit për t’u përgatitur ndaj sulmeve të reja.





