VIDEO/ Policia turke merr nën kontroll televizionin e opozitës Halk TV, ja çasti kur ndërpritet transmetimi live

Forcat e policisë turke ndërhynë sot në godinën e televizionit Halk TV në Stamboll, duke vënë nën kontroll median që njihet si e afërt me opozitën dhe duke ndërprerë programin që po transmetohej drejtpërdrejt në ato momente.

Në një njoftim të publikuar në rrjetin social X, stacioni televiziv bëri të ditur se efektivët e policisë ndodhen brenda ndërtesës së Halk TV dhe se është caktuar një komisioner për të administruar stacionin, çka solli edhe ndalimin e transmetimeve të drejtpërdrejta.

Të lidhura

None found

Në rrjetet sociale po shpërndahen pamje ku shihen punonjësit e televizionit të grumbulluar para selisë së tyre, ndërsa policia nuk po i lejon ata të futen brenda objektit.

Po ashtu, një video e publikuar online tregon momentin e saktë kur programi televiziv u ndërpre papritur gjatë transmetimit.

Sipas raportimeve të mediave vendase, efektivët hynë në godinë rreth orës 05:30 të mëngjesit dhe nisën kontrollet, teksa rruga përballë ndërtesës ishte gjithashtu e mbyllur për qarkullim.

Suat Toktas, drejtori i përgjithshëm i lajmeve në Halk TV, u përpoq të siguronte vijimin e transmetimit duke kontaktuar personin e emëruar për të drejtuar administrimin, por përpjekja e tij nuk dha rezultat.

Ky zhvillim ndezi reagime të shumta në Turqi, ku përfaqësues të opozitës e cilësuan ndërhyrjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.


Shtuar më 14.10.2026 09:06

Quantcast