Studenti Klevi Metaj është kthyer në simbol dhe një nga figurat më të komentuara të protestës së studentëve, pas përplasjeve të dhunshme me efektivët e policisë mbrëmjen e së martës. Ai është djali i Brikena Metajt, korrespondentes së News24 në Gjirokastër, dhe student në Universitetin e Tiranës.
Pamjet e publikuara nga protesta tregojnë të riun duke ecur në trotuar, përpara se të goditet nga një efektiv policie. Më pas, ai shihet duke u përfshirë në një përplasje fizike me disa efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të pajisur me shkopinj gome.
Në pamjet e bëra publike, Metaj shihet në përballje me disa efektivë, ndërsa më vonë u publikuan edhe fotografi të tij të prangosur te kangjellat e një dere. Pamje të tjera tregojnë të riun me shenja të dukshme dhune brenda një furgoni policie dhe i gjakosur.
Ngjarja ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ku studenti po identifikohet nga komentuesit me simbolikën e një të riu që kërkon të drejtën, ndërsa përballet me forcën e policisë.
Përplasjet ndodhën gjatë protestës së studentëve kundër qeverisë, e cila u shoqërua me tensione dhe ndërhyrjen e forcave të policisë. Rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve mbeten për t’u sqaruar.
© SYRI.net