(E përditësuar) - Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë-Kosovë, pasi njëri prej tyre me nacionalitet serb dyshohet se, nën posedimin e një arme, ka kërcënuar një qytetar, ndërsa tjetri dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes.
Sipas njoftimit të Policisë, pas raportimit të rastit, njësitë speciale, ato të reagimit të shpejtë dhe njësitë patrulluese kanë ndërhyrë për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari nuk iu është bindur urdhrave për ndalim dhe dorëzim, por është mbyllur në shtëpinë e tij. Pavarësisht komunikimit dhe thirrjeve të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të dorëzohej, ai ka refuzuar ta bëjë këtë.
Pas sigurimit të perimetrit përreth zonës së banimit, njësitë policore janë detyruar ta hapin derën me forcë dhe të hyjnë brenda, ku kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin për kanosje, si dhe një person tjetër që ndodhej në banesë dhe dyshohet se ka penguar policinë.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, ndërsa ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon nga njësitë përkatëse policore.
Edhe
Arrestohet një person në Prishtinë, postoi në rrjete sociale koment me përmbajtje kërcënuese
Policia ka njoftuar se veprimet e mëtejme janë duke u ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
VIDEO:
Arrestohet i dyshuari që kërcënoi me mjet shpërthyes në Fushë-Kosovë
Policia e Kosovës sot në mbrëmje ka arrestuar një person të dyshuar se kishte kërcënuar se do të aktivizonte një mjet shpërthyes në banesën e tij, në objektet e njohura si “Banesat e Bardha” në Fushë-Kosovë.
Siç raporton RTK-ja, ekipet policore, përfshirë njësinë speciale, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës kanë qëndruar për disa orë rreth banesës ku qëndronte i dyshuari.
Sipas raportimeve, ai ishte ngujuar dhe kërcënonte se do të aktivizonte mjet shpërthyes.
Edhe
Përleshje në një lokal në Fushë-Kosovë, arrestohen tre të dyshuar përfshirë dy shtetas serbë
Pas arrestimit, në vendngjarje janë parë ekipet e deminimit.
KOHA ka kontaktuar me Policinë. Sapo të ketë përgjigje zyrtare, artikulli do të përditësohet.