Tensione janë regjistruar gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, e paralajmëruar nga studentët në shenjë pakënaqësie për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Gjatë protestës, disa prej pjesëmarrësve kanë ndezur zjarr në mes të rrugës, ndërsa, sipas raportimeve, kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë goditur policët.
Protestuesit kanë demoluar rrethojat pranë Ministrisë së Arsimit.
Është raportuar për një polic të lënduar.
VIDEO:
Pesë zyrtarë policorë pezullohen pas videos ku shihej i riu me këmbë të thyer që tërhiqej nga ta
Katër policë të Shqipërisë dhe një nënkomisar janë pezulluar nga puna pas videos që ka qarkulluar ku një i ri protestues është parë të tërhiqej nga ta ndërsa e kishte këmbën e thyer.
Policia ka njoftuar se ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj zyrtarëve. Po ashtu, është ngritur grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të protestës, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës.
Policia ka theksuar se çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
“Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë. Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre”, thuhet në njoftim.
VIDEO:
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar që po marrin pjesë në protestë dhe atyre që po sulmojnë institucionet, t’i ndalin sulmet menjëherë.
“Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë”, njoftoi Policia shqiptare.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore. Kurse, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), kanë marrë trajtim dhe janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues.
Protesta në Tiranë, protestuesit thyejnë dyert dhe hyjnë brenda Bashkisë
Situata është tensionuar në orët e mbrëmjes në protestën që ka nisur në orën 14:00 në Tiranë. Pas shpërndarjes nga Rruga e Durrësit, protestuesit janë zhvendosur drejt Bashkisë së Tiranës, ku kanë thyer dyert dhe kanë hyrë brenda objektit.
Fillimisht, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të hyrjes së objektit, duke arritur më pas ta thyejnë derën. Ata kanë vazhduar të hedhin gurë drejt institucionit dhe të ndezin flakadanë.
Disa prej protestuesve kanë hyrë brenda, ndërsa menjëherë pas kësaj në vendngjarje ka mbërritur edhe policia.
Protesta e sotme është thirr nga studentët, të cilët janë shprehur të pakënaqur me kushtet në arsim.
23 të ndaluar, gjashtë policë e një gazetare të lënduar nga protestat e studentëve në Shqipëri
23 persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit në Shqipëri, ndërsa shtatë persona, gjashtë policë dhe një gazetare, janë lënduar gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, të organizuar nga studentët. Por Policia nuk ka treguar se a ka pasur protestues të lënduar, megjithëse nga pamjet janë parë disa prej tyre duke u larguar me ambulancë.
Sipas njoftimit të Policisë, një grup protestuesish kanë dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe portën hyrëse të institucionit, si dhe kanë thyer xhamat dhe dëmtuar fasadën e objektit me gurë dhe sende të forta.
Policia pretendon se protestuesit, disa prej tyre të maskuar, kanë sulmuar policët me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalimin e veprimeve të dhunshme.
Përballë situatës, strukturat policore kanë ndërhyrë, ndërsa 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia ka bërë të ditur se gjashtë punonjës policie dhe një gazetare kanë mbetur të lënduar, por të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në veprimet e paligjshme gjatë protestës.
Protesta ishte paralajmëruar në shenjë pakënaqësie për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria.
VIDEO: