Çmimet e naftës u rritën të mërkurën, më 14 tetor, ndërsa përshkallëzimi i sulmeve ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit shtoi tensionet në një prej korridoreve më të rëndësishme të furnizimit botëror me energji.
Sipas Reuters nafta Brent u shtrenjtua me 0.3%, duke arritur në rreth 106 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u tregtua në nivelin e 94.42 dollarëve për fuçi.
Irani ka ndryshuar strategjinë e sulmeve ndaj transportit detar në rajon, duke synuar mbajtjen e çmimeve ndërkombëtare të naftës në nivele të larta përpara zgjedhjeve të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, raportoi Reuters, duke cituar dy zyrtarë të lartë iranianë.
Strategjia e re, e zbatuar prej rreth dhjetë ditësh, përfshin ndryshime në shpeshtësinë, mënyrën dhe shtrirjen gjeografike të sulmeve. Operacionet nuk kufizohen më vetëm në Ngushticën e Hormuzit, por po shtrihen edhe drejt Gjirit të Omanit dhe ujërave pranë Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjatë 48 orëve të fundit janë raportuar të paktën pesë incidente që përfshijnë cisterna nafte dhe anije të tjera tregtare në zonën e Hormuzit, ndërsa kushtet e sigurisë për transportin detar vijojnë të përkeqësohen.
Përpara nisjes së konfliktit më 28 shkurt, përmes Ngushticës së Hormuzit transportohej rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Rëndësia e këtij korridori për furnizimin ndërkombëtar e ka vendosur transportin detar në qendër të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Situata është rënduar më tej nga sulmet e rebelëve Houthi ndaj objektivave në Arabinë Saudite, përfshirë një godinë administrative të kompanisë shtetërore të energjisë, Saudi Aramco.
Intensifikimi i sulmeve ka rritur kostot e transportit dhe sigurimit për anijet që operojnë në rajon. Për kompanitë e transportit detar, kalimi nëpër Hormuz mbetet një operacion me rrezik të lartë, ndërsa incidentet e njëpasnjëshme kanë shtuar pasigurinë mbi vazhdimësinë e furnizimeve.
Joint Maritime Information Center, një strukturë ndërkombëtare e sigurisë detare e udhëhequr nga Marina amerikane, e ka klasifikuar nivelin e kërcënimit për anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit si të rëndë, shkalla e dytë më e lartë në sistemin e saj të vlerësimit.
Zhvillimet në Lindjen e Mesme po mbajnë çmimet e naftës në nivele të larta, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të energjisë po përballen me ndërprerje të transportit detar dhe pasiguri mbi furnizimin nga një prej rajoneve kryesore prodhuese të naftës në botë.













