Forcat ukrainase kanë raportuar kufizime në përdorimin ushtarak të sistemit satelitor Starlink, të operuar nga kompania SpaceX e miliarderit Elon Musk, duke bërë të ditur se një ndryshim i vendosur gjatë natës ka ndërprerë disa misione me dronë.
Sipas Serhiy Beskrestnovit, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për teknologjinë ushtarake, i njohur me nofkën “Flash”, kufizimi prek shërbimin ushtarak StarShield dhe lidhet me shpejtësinë e lëvizjes së terminaleve, raportoi të mërkurën “Euronews”.
Ai tha se lidhja satelitore raportohet të ndërpritet kur terminalet lëvizin me shpejtësi mbi rreth 160 kilometra në orë.
“Forcat tona të mbrojtjes nuk morën paralajmërim për këtë kufizim dhe kjo çoi në ndërprerjen e disa misioneve”, shkroi Beskrestnov në Telegram.
Deri më tani nuk ka prova të pavarura që Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar ndryshimin, ndërsa arsyet e vendosjes së kufizimeve mbeten të paqarta.
Zhvillimi ka rikthyer shqetësimet se qasja në komunikimet satelitore amerikane mund të shndërrohet në një instrument tjetër presioni ndaj Ukrainës, në një kohë kur marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar.
Shqetësimet vijnë pas raportimeve se administrata Trump ka paralajmëruar mundësinë e kufizimit të shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Ukrainën, nëse kjo e fundit nuk ndalon sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
Vëmendje ka tërhequr edhe kritika publike e Elon Musk ndaj Zelenskyt. Të shtunën, Musk reagoi ndaj një videoje të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, në të cilën Trumpi kritikonte sulmet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse.
“Zelensky ka shkuar shumë larg”, shkroi Musk në platformën X.
Megjithatë, deri më tani nuk është vërtetuar ndonjë lidhje mes deklaratës së Muskut dhe kufizimeve të raportuara në sistemin Starlink.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina nuk ka marrë paralajmërime nga partnerët e saj për sulmet ruse me raketa balistike ndaj Kievit, për të dytën natë radhazi.
Sipas tij, Rusia lëshoi gjatë natës 39 raketa balistike dhe më shumë se 120 dronë sulmues dhe municione fluturuese kundër Kievit, rajonit përreth dhe Harkivit.
Zelenskyy tha se sulmet dëmtuan 26 objekte të infrastrukturës elektrike dhe katër instalime të naftës dhe gazit, duke lënë të paktën 600 mijë persona pa energji elektrike.
Starlink ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e komunikimeve në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, duke mbështetur komunikimin ushtarak dhe funksionimin e sistemeve të ndryshme në terren.