Të paktën 600 mijë persona në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë gjatë natës, ka deklaruar presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, infrastruktura kritike energjetike është goditur në Kiev dhe në rajonin e kryeqytetit, si dhe në qytetin verilindor të Harkivit, pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump të dielën se mes Rusisë dhe Ukrainës është vendosur “armëpushim energjetik”, raportoi të mërkurën BBC-ja.
Në Kiev, të paktën tre persona janë vrarë dhe 21 të tjerë janë plagosur, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, DSNS.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmet masive gjatë natës patën në shënjestër objektet e komunikimit dhe të energjisë në rajonet e Kievit dhe Harkivit, të cilat, sipas saj, përdoren nga ushtria ukrainase.
Ministria njoftoi gjithashtu se gjatë natës ishin rrëzuar 902 dronë ukrainas mbi disa rajone të Rusisë, përfshirë kryeqytetin Moskë dhe Krimenë, gadishullin jugor të Ukrainës që u aneksua nga Rusia në vitin 2014.
Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan se Rusia ka lëshuar gjatë natës 39 raketa balistike, si dhe 128 dronë. Sipas tyre, katër nga raketat dhe 115 dronë janë rrëzuar.
Të dielën, Trumpi shkroi në rrjetet sociale se ka hyrë menjëherë në fuqi një “armëpushim energjetik” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, duke pretenduar se të dyja palët kanë rënë dakord për të.
Që nga ajo deklaratë, Zelensky ka përsëritur disa herë se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës dhe objekteve të tjera energjetike, nëse Moska bën të njëjtën gjë.