Art & Kulturë

Kryevepra e Van Gogh-ut del në ankand me vlerë marramendëse!

Një nga veprat e rralla të Vincent van Gogh-ut, e cila ka qëndruar e fshehur nga publiku për më shumë se 60 vjet, është rikthyer në vëmendje në Hong Kong, ku qindra artdashës u mblodhën për ta admiruar nga afër. Bëhet fjalë për pikturën “Pemët e gështenjës në lulëzim”, e cila pritet të shitet në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork, më 18 nëntor, me një vlerësim që arrin në 180 milionë dollarë.

E përfunduar në maj të vitit 1890, vepra i përket muajve të fundit të jetës së piktorit të famshëm holandez. Në atë periudhë, Van Gogh jetonte në Auvers-sur-Oise të Francës, ku ndërroi jetë vetëm dy muaj më vonë, në moshën 37-vjeçare. Piktura dallohet për pemën e madhe të gështenjës, e cila me degët dhe lulet e saj mbizotëron në kompozim. Sipas Scott Nitchel, drejtuesit të departamentit të artit modern dhe bashkëkohor në Sotheby’s, krijimi pasqyron gjallërinë, energjinë dhe përdorimin e ngjyrave që karakterizonin punën e artistit në atë fazë të karrierës. Ai beson se vepra mund të vendosë një rekord të ri për shitjen në ankand të një pikture të Van Gogh-ut.

Interesi për ekspozimin e saj në Hong Kong ishte i madh. Mes vizitorëve ishte edhe Li Shanshan, 50 vjeç, i cili udhëtoi rreth dy orë e gjysmë nga Shenzhen-i për të parë pikturën. Ai tregoi se nuk e njihte më parë këtë krijim, por dëshironte ta shihte personalisht, përpara se vepra të kalonte në ankand. Piktura e Van Gogh-ut nuk do të jetë e vetmja që do të dalë në shitje. Në të njëjtin ankand do të ofrohen edhe 11 vepra të tjera që kanë kaluar një periudhë të gjatë pa u ekspozuar publikisht. Mes tyre janë krijime të dy emrave të mëdhenj të artit, Paul Cézanne dhe Claude Monet. Disa prej këtyre punimeve u prezantuan në Londër në fund të shtatorit, përfshirë “Harlequin” të Cézanne dhe “Kopshti i Qeramikës” të Monet.Nga trashëgimia familjare te koleksionet private

Rrugëtimi i “Pemëve të gështenjës në lulëzim” është po aq interesant sa vetë vepra. Pas vdekjes së Van Gogh-ut, në korrik të vitit 1890, piktura iu kalua vëllait të tij, Theo. Më pas, ajo u trashëgua nga bashkëshortja e Theos, Johanna van Gogh-Bonger, dhe djali i tyre, Vincent Willem. Në vitet që pasuan, vepra kaloi në duart e botuesit gjerman Samuel Fischer, themeluesit të shtëpisë botuese S. Fischer Verlag. Më vonë, ajo u bë pjesë e koleksionit të kompozitorit dhe producentit amerikan George “Buddy” DeSilva, një prej figurave që kontribuuan në themelimin e Capitol Records.

Në vitin 1953, piktura u ble nga koleksionistja Harriet Harris-Jonas, e cila zotëronte një koleksion të rëndësishëm artistik. Koleksioni i saj ishte aq i vlerësuar, sa Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork kishte organizuar vizita për mbështetësit e tij në apartamentin e saj në Fifth Avenue, ku mund të shihnin veprat e rralla. Një tjetër kapitull nisi në vitin 1975, kur piktura u ble nga familja Blackie përmes tregtarit të artit Wildenstein. Që nga ajo kohë, ajo mbeti larg ekspozimeve publike për dekada të tëra. Tashmë, rikthimi i saj në Hong Kong i paraprin një prej ankandeve më të shumëpritura të këtij viti në botën e artit. Me një vlerësim prej 180 milionë dollarësh, vepra e Van Gogh-ut pritet të tërheqë vëmendjen e koleksionistëve ndërkombëtarë dhe mund të shkruajë një kapitull të ri në historinë e shitjeve të artit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.