Aktualitet

Grabitën me dhunë 3000 € e 4 celularë në Elbasan duke u hequr si policë, në kërkim 3 autorë

Të armatosur dhe të maskuar si policë, tre persona dyshohet se kanë grabitur një banesë në lagjen “5 Maji” në Elbasan, duke marrë 3 mijë euro dhe 4 celularë. Në kërkim janë shpallur dy burra dhe një 21-vjeçare.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 12 tetorit 2026. Sipas Policisë, autorët kanë kërcënuar me armë personat që ndodheshin në banesë dhe kanë marrë shumën e parave dhe celularët.

Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre të dyshuarit.

Ata janë shtetasit M. M., 46 vjeç, banues në Lezhë, S. A., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe N. A., 21 vjeçe, banuese në Greqi.

Në kuadër të hetimeve, policia ka referuar materialet në Prokurori edhe për A. N., 30 vjeç, banues në Tiranë, i afërm i 46-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe pronar i automjetit që dyshohet se është përdorur nga autorët dhe më pas është braktisur.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e policisë kanë gjetur veshje të ngjashme me uniformat e Policisë, një thikë dhe një fenelinë. Për 30-vjeçarin ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Policia vijon kërkimet për kapjen e tre të dyshuarve, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të saj.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.