TIRANË- Tirana nuk e ka parë kurrë një ditë më parë si kjo e 14 tetorit. Disa qindra protestues, shumica të maskuar, mbollën shkatërrim në çdo rrugë që e shkelën për më shumë se 9 orë.
Më shumë se 8 institucione, duke filluar nga kryesoret si Kryeministria, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, 3 ministri, Banka e Shqipërisë e të tjera, u sulmuan. Në disa prej tyre njerëz të maskuar mësynë brenda dhe vunë zjarr. 35 të shoqëruar deri më tani.
Asgjë nuk i shpëtoi akteve vandale. Të paktën 4 banka të nivelit të dytë u shkatërruan, biznese private u plaçkitën dhe disa prej tyre u vodhën. Vandalizimi nuk është ndalur në asnjë moment. Kudo ku kaloi protesta, nuk shpëtoi asnjë stol, asnjë kangjellë ndarëse në rrugë, tabelë e sinjalistikës rrugore, shtyllë dritash, kosh mbeturinash apo semafor pa u shkatërruar.
Gjithçka nisi në mesditë në Ministrinë e Arsimit. E ardhur nga një ditë më herët ku u kritikua për ndërhyrje të tepruar, policia e shtetit këtë ditë zgjodhi një tjetër strategji, të ishte e tërhequr por kjo nuk ka shmangur më shumë dhunë. Mbetur komplet e lirë të veprojë, demonstrues dhe militantë kane sulmuar pa asnjë pengesë institucionet, pasurinë publike dhe atë private, ndërkohë jo pak u rrezikuan edhe jetë njerëzish. Politikisht një autogol pasi kanë treguar që qëllimi nuk ishte një protestë paqësore.
Lajmi në përditësim....

Policia ka shoqëruar 3 persona në zonën e ’21 Dhjetorit.’ Fillimisht, autoritetet kanë ndaluar një taksi duke e pyetur se nga ku janë marrë 3 djemtë.
“Me kujdes”, dëgjohet të thotë policia në momentin e shoqërimit.
Një pjesë e protestuesve janë kthyer sërish te kryeministria. Policia shoqëron disa prej tyre
Në zonën e ’21 Dhjetorit’ ka një situatë kaotike për shkak të numrit të lartë të protestuesve, gurëve të hedhur prej tyre dhe policia ka ndërhyrë intensivisht për t’i shoqëruar.
Gazi lotsjellës i përdorur nga policia ka shkaktuar shqetësim edhe për qytetarët që ndodhen në këtë zonë. Qytetarë, të cilët po konsumonin një kafe në baret e zonës, por edhe turistë, të cilët janë ndier keq për shkak të gazit lotsjellës.
Ata kanë refuzuar të flasin për kamerën, ndërsa në ndihmë u kanë ardhur edhe të pranishëm të tjerë, si dhe policia.
Në rrugë ndodhen kosha mbeturinash të përfshirë nga flakët dhe kangjella, duke vështirësuar qarkullimin e makinave. Në terren ndodhet edhe kryepolici Skënder Hita që po ndjek nga afër situatën.

Report Tv sjell këto pamje nga momenti kur protestuesit mësyjnë në komisratin numër 2 në zonën e 21 dhjetorit.
Dhjetëra protestues dallohet teksa kalojnë kangjellat rrethuese, futen në oborrin e komisariat dhe sulmojnë dhunshëm çfarëdo që u del përpara. Asnjë reagim nuk dihet nga policia.
Më tej, siç shihet edhe në videon më poshtë, ata i vunë flakën një makina policia e cila shihet totalisht e shkrumbuar.
Policia thotë se 23 efektivë janë lënduar nga sulmet e protestuesve. Policia u bën thirrje protestuesve që të distancohen nga dhuna.
Njoftimi i plotë
Policia e Shtetit përsërit thirrjet e bëra përgjatë gjithë ditës së sotme për pjesëmarrësit në tubim: Distancohuni menjëherë nga dhuna!
Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.
Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas.

9 efektivë të lënduar ndodhen në Spitalin e Traumës, bën me dije ministrja Klodiana Spahiu, e cila ndodhet atje për t’i vizituar. 6 efektivë kanë mbërritur në 30 minutat e fundit. Një efektiv 31-vjeçar ka dëmtime të rënda në sy dhe fraktura në nofull e hundë.
Ministrja e Shëndetësisë ka dënuar dhunën ndaj policisë si një cenim të sigurisë dhe shëndetit të tyre.
Reagimi i plotë:
Jam në Spitalin Universitar të Traumës, ku për 30 minuta kanë mbërritur 6 efektivë policie të lënduar, duke çuar në 9 numrin e tyre në urgjencë.
Një prej tyre, L.D 31 vjeç ka dëmtime serioze në sy dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë.
Dhuna ndaj efektivëve të policisë është e patolerueshme dhe rrezikon seriozisht sigurinë dhe shëndetin e tyre.
Mbështetje dhe mirënjohje për mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin shëndetësor, që po kujdesen me profesionalizëm dhe përkushtim për çdo person të lënduar.
Në hyrje të “Rrugës së Durrësit” protestuesit po shkatërrojnë ndërtesën e ‘Syrit të Tiranës, së cilës i kanë vënë flakën. Sipas raportimeve, fasada e kësaj ndërtese është e veshur me polisterol, një material lehtësisht i djegshëm.
Rrethimi përqark godinës ka rënë. Ata kanë arritur të thyejnë vetëm shtresën e parë të veshjes së dyfishtë prej xhamit. Në zonë ka tym e zjarr të dendur.
Policia po shoqëron disa protestues, të cilët duket se ndodhen në një rrugicë te “Rruga e Durrësit.”
Kaos edhe te Zogu i Zi, ku protestuesit kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve duke vendosur gurë e kangjella në mes të rrugës. Bllokimi ka shkaktuar irritimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët u bien vazhdimisht borive për të kërkuar lirimin e rrugës.
Rrugët e Tiranës janë në gjendje kaotike nga sulmet e protestuesve.
Në hyrje të sheshit ‘Skënderbej’ ku ndodhet kryqëzimi me “Rrugën e Durrësit” ka disa kosha mbeturinash që po digjen. Brenda në shesh ku ka ende protestues, po hidhet gaz lotsjellës.
Situata duket po aq e rrëmujshme edhe te zona nga ‘Don Bosko’ e deri drejt hyrjes së bulevardit ‘Zogu I.” Kangjella të hedhura në tokë, kosha mbeturinash që kanë bllokuar rrugën dhe janë në flakë, qarkullimi i automjeteve i bllokuar.
Një mjeti të rëndë i janë thyer xhamat.
Protestuesit kanë lënë pas dëme në prona publike dhe private, teksa pamjet e siguruara nga Report TV na sjellin nga Drejtoria e Arkivave ku shihen xhama të thyer dhe të shpërndara në tokë.
Në ambientet pranë institucionit shihen qartë pasojat e dëmtimeve, ndërsa në rrugë vërehen mbeturina dhe kosha mbeturinash të lënë në mes të saj. Pamjet tregojnë një situatë kaotike, me dëme materiale dhe mbetje të shpërndara në hapësirat publike.
Ndërkohë, protestuesit kanë bllokuar rrugën, duke shkaktuar trafik dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Teksa një pjesë e tyre vijon të lëvizë në rrugë, drejtuesit e mjeteve përballen me radhë të krijuara nga bllokimi.
Një efektiv policie ka mbetur i lënduar gjatë protestës. Report Tv solli pamjet live kur efektive përfundoi i shtrirë në tokë.
Gazetari i Report Tv i dha edhe ndihmë derisa kolegë policë erdhën për ta larguar.
Protestuesit pranë Drejtorisë së Arkivave kanë vazhduar të kryejnë akte dhune. Në rrugë shihen tabela rrugore të hedhura në tokë e po ashtu edhe kangjella. Një protestues i maskuar merr disa kangjella për t’i hedhur në anën e rrugës ku ndodhen makinat, të cilat po qëndrojnë pa lëvizur.
Një shofer afrohet dhe largon kangjellat ku duket se po i thotë protestuesit mos të bllokojë rrugën. Të njëjtën gjë bën edhe një tjetër drejtues mjeti, por protestuesi që ka ende kangjellat në duar, duket se i kërcënon se do t’i sulmojë me to.
Protestuesit po vijojnë me aktet dhunës nëpër kryeqytete. Nën sulm u vu qendra tregtare ‘Toptani’. Një grup protestuesish thyen xhamat e fasadës. Policia ndërhyri, ka edhe shoqërime.
Zjarrfikësja po ndërhyn te “Rruga e Durrësit” për të shuar flakët e shkaktuara nga protestuesit ndaj një makine.
Përgjatë rrugës drejt qendrës, protestuesit po vijojnë me akte dhune. Tabela të djegura, semaforë të thyer e të shkatërruar, makina e kosha mbeturinash që u vihet flaka, vazo të shkatërruara.
Disa protestues kanë thyer edhe kioska e dyqane të vogla, nga të cilat kanë marrë edhe produktet.
Protestuesit kanë sulmuar edhe Ministrinë e Drejtësisë. Ata kanë thyer xhamat dhe i kanë vënë flakën.
Protestuesit kanë shkatërruar një tjetër bankomat. Në pamjet që sjell Report Tv dallohen protestuesit që e kanë thyer.
Edhe institucioni financiar më i rëndësishëm, Banka e Shqipërisë, është sulmuar nga protestuesit. Ata kanë marrë disa kangjella të shkulura dhe kanë thyer një prej kabinave të rojes.
Gjithashtu kanë thyer edhe xhamat e shatërvanit.
Një tjetër nga kubat e ‘Piramidës’ ka marrë flakë pas sulmeve nga protestuesit. Ky është kubi i dytë, pasi paralelisht po digjet edhe ai i një bar-kafeje, e cila edhe u plaçkit.
Ndërkohë ka pasur sulme ndaj një banke të nivelit të dytë, ku ka pasur dhe zjarr si dhe është shkatërruar një kafe-librari.
Xhama të bërë copë e çikë, vazo të rrëzuara në tokë, orendi të kthyera përmbys dhe dyer të shkatërruara, janë një bilanc i shpejtë i dëmeve të shkaktuara nga protestuesit brenda godinës së Ministrisë së Financave.
Në pjesën e jashtme gjenden orenditë e hedhura pirg nga protestuesit.
Report Tv ka siguruar video nga brenda kafenesë së plaçkitur nga protestuesit te ‘Piramida.’ Pasi ata kanë vjedhur produktet brenda, i kanë vënë edhe flakën.
Në pjesën e jashtme të biznesit janë shkatërruar vazot e luleve, tavolinat e karriget dhe tanimë janë në flakë.
Pas dhunës te Kryeministria dhe te Piramida, protestuesit vendosen te Parlamenti

Shtatë persona kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e protestës para Ministrisë së Arsimit, mes tyre 3 protestues dhe 4 efektivë policie.
Sipas përditësimit të orës 18:40, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës (SUT) po marrin trajtim 3 protestues dhe 4 efektivë policie. Të gjithë janë të vetëdijshëm dhe në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.
Ndërkohë, 4 protestues të tjerë kanë marrë mjekimin e nevojshëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe janë larguar nga spitali, duke vijuar kujdesin ambulator.
Protestuesit kanë sulmuar bizneset te Kullat Binjake, duke shkatërruar bizneset. Policia po ndërhyn duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa ka edhe një autobot e zjarrfikëse që po përpiqen të menaxhojnë flakët.
Protestuesit kanë hipur në shkallët e ‘Piramidës’, në dy krahët e saj dhe në mes e kanë ndezur flakadanë.
Nën sulmin e protestuesve është vendosur edhe një nga bizneset e kafeneve te ‘Piramida.’ Më pas kanë hyrë brenda dhe kanë marrë produktet aty, si pije dhe ëmbëlsira e kanë nisur t’i shpërndajnë.
Edhe Gjykata Kushtetuese ishte pre e sulmit nga protestuesit. Policia ka hedhur gaz lotsjellës.
Protestuesit kanë arritur të thyejnë derën e Kryesisë së Kuvendit. Ata shihen duke hedhur fishekzjarrë e ndezin flakadanë. Brenda godinës ka edhe zjarr.
Duke përdorur shkallë, ata po hipin në dritare duke shqyer grilat dhe thyejnë xhamat. Policia ka ndërhyrë për t'i shpërndarë.
Një efektiv policie ka shpëtuar një djalë të vogël nga gazi lotsjellës. Ai e merr në krahë dhe vrapon me të për ta larguar.
Ndërkohë forca të tjera policie shoqërojnë protestues.
Dëmtimet ndaj bizneseve te ‘Piramida’ nga protestuesit vijojnë. Ata i kanë vënë flakën një banke të nivelit të dytë, si dhe kanë shkatërruar një kafe-librari. Flakët e shkaktuara prej tyre kanë përfshirë edhe motorin e një qytetari.
Gjithashtu i kanë vënë zjarrin një peme.
Sulmi i tyre ka kaluar tashmë edhe drejt Kryesisë së Kuvendit, së cilës i kanë thyer xhamat me gurë.
Me një tabelë rrugore të shkulur nga vendi, ata po përpiqen të shkatërrojnë derën anësore të Kryesisë së Kuvendit.
Përshkallëzon situata, sulm me molotovë Kryeministrisë
Situata në kryeqytet është tensionuar gjatë protestës, ku janë regjistruar nga gazetarët e Report tv pamje të tjera nga incidentet në terren, ku shihen stenda reklamuese të thyera dhe dëmtime të hapësirës publike.
Gjithashtu janë dëmtuar dhe stenda reklamuese, të cilat kanë përfunduar në mes të rrugës.
Bllokimi i Unazës ka sjellë vështirësi për lëvizjen e automjeteve në këtë segment të kryeqytetit.
Edhe Unaza është bllokuar si pasojë e protestës. Siç raportojnë gazetarët e Report TV në terren, pranë Lanës janë djegur kartona dhe një kosh plehrash.
Dy prej tyre janë vendosur në mes të rrugës për të bllokuar qarkullimin
Një makinë e ndodhur te Piramida është shkatërruar nga protestuesit. Një grup protestuesish të maskuar përpiqen ta ngrenë, e tundin vazhdimisht dhe e godasin me shkopinj e gurë.
Dhunës së protestuesve në Tiranë nuk i kanë shpëtuar as mediat. Një grup të rinjsh të maskuar sulmuan këtë të mërkurë kamerën e Report TV duke pamundësuar përcjelljen e një pamjeje të qartë nga një prej këndeve ku po protestohej.
Ndërsa operatori i Report Tv vijonte punën duke filmuar incidentet në protestë si thyerja e bizneseve dhe zjarret ndaj luleve, ata e sulmuan duke e shkelmuar dhe rrëzuar kamerën në tokë.
Ata vijuan vandalizimin me pretendimin se nuk dëshironin të filmoheshin pasi identifikoheshin, ndonëse gazetarja e Report Tv Raziela Myslymaj u kërkoi disa herë që mjaftonte të spostoheshin nga objektivi. Kamera e lëvizshme e Report Tv tashmë është jashtë përdorimit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi sulmin e protestuesve të maskuar ndaj kamerës së Report TV. Sipas AGSH ‘sulmi ndaj pajisjeve të medias pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar’.
‘Asnjë pakënaqësi apo pretendim ndaj një medie nuk mund të justifikojë dhunën ndaj ekipeve të saj apo dëmtimin e mjeteve të punës’ shprehet shoqata e gazetarëve duke shprehur solidaritetin me ekipin e Report Tv. AGSH u bën thirrje autoriteteve të hetojnë ngjarjen, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para përgjegjësisë ligjore.
Shoqata e gazetarëve apelon protestuesit të respektojnë gazetarët dhe ekipet mediatike, ndërsa Policisë së shtetit i kërkojnë të garantojë sigurinë e tyre.
Reagimi i plotë i AGSH
AGSH dënon sulmin ndaj kamerës së Report TV gjatë protestës në Tiranë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon sulmin e protestuesve të maskuar ndaj kamerës së Report TV, e cila është vandalizuar gjatë protestës në Tiranë. Sulmi ndaj pajisjeve të medias pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar. Asnjë pakënaqësi apo pretendim ndaj një medie nuk mund të justifikojë dhunën ndaj ekipeve të saj apo dëmtimin e mjeteve të punës.
AGSH shpreh solidaritetin me ekipin e Report TV dhe kërkon nga autoritetet identifikimin e autorëve, hetimin e ngjarjes dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. U bëjmë thirrje protestuesve të respektojnë gazetarët dhe ekipet mediatike, ndërsa Policisë së Shtetit i kërkojmë të garantojë sigurinë e tyre. Gazetarët duhet të raportojnë lirisht, pa u përballur me dhunë, kërcënime apo pengim, pavarësisht se nga kush ushtrohen.
Një tjetër bankë e nivelit të dytë është sulmuar nga protestuesit. Banka ndodhet te Piramida që po sulmohet vazhdimisht. Edhe biznesit të një operatori telefonik i janë thyer xhamat.
Protestuesit shihen me flakadanë të kuq në duar dhe hedhin gurë drejt kubave të Piramidës ku ndodhen bizneset.
Ata u kanë vënë flakën edhe luleve. Një grup protestuesish të maskuar kanë hipur edhe në majë të Piramidës.
Sulmohet piramida, protestuesit thyejnë xhamat dhe shkatërrojnë bizneset në brendësi

Protestuesit zhvendosen te Kryeministria, policia u hedh ujë dhe gaz lotsjellës
Një pirg objektesh që u bastisën nga protestuesit në momentin që hynë brenda Ministrisë së Financave, ndodhet tashmë para godinës.
Në këtë pjesë të rrugës janë përmbysur edhe vazot e mermerta të luleve.
Dy kordonë sigurie me policë janë vendosur pas kangjellave të hyrjes së parlamentit që mendohet të jetë institucioni tjetër që do të sulmohet nga protestuesit.
Një rresht policësh është vendosur menjëherë pas kangjellave dhe një grup tjetër disa metra më pas. Brenda ndodhet edhe një autobot me ujë.
Sulmi e flakët te Ministria e Ekonomisë, policia nis me shoqërimet e protestuesve

Ministria e Financave është kthyer në ndalesën e radhës për protestuesit që kanë mësyrë brenda saj. Ata po hedhin gurë, fishekzjarrë e kapsollë drejt godinës si dhe drejt policisë.
Efektivët kanë reaguar, por protestuesit po i gjuajnë me gurë. Nga autoritetet po përdoret gaz lotsjellës.
Protestuesit po shpërthejnë derën kryesore te Ministria e Financave dhe po hedhin gurë e fishekzjarrë. Gjithashtu shihen duke shkatërruar kamerat e sigurisë dhe kanë thyer xhamat e dritareve. Protestuesit po nxjerrin edhe disa mobilie.
Ka tentativa edhe për të shkatërruar një tjetër hyrje të ministrisë, ndërsa shihen edhe flakë.

Një grup protestuesish ndodhen në hyrje të Ministrisë së Ekonomisë duke hedhur vazhdimisht gurë. Drejt efektivëve po hidhen edhe fishekzjarre, kurse policia po reagon me hedhjen e gazit lotsjellës.
Te Ministria e Brendshme ka me dhjetëra forca policie që kanë krijuar një kordon sigurie.
Gjatë rrugës, protestuesit po djegin edhe tabela reklamash.
Një grup protestuesish të maskuar janë shpërndarë edhe në rrugën midis Ministrisë së Ekonomisë dhe “Parkut Rinia” ku po shkulin kangjellat në anë të rrugës. Ata po shkatërrojnë edhe semaforë dhe kanë thyer tabela reklamash.
Protestuesit kanë zgjedhur këtë rrugë të kryeqytetit për t’iu drejtuar parlamentit që është ndalesa e tyre e radhës.
“Vetëm dhunë”, është një prej thirrjeve të tyre.

Tetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e protestës së dhunshme para Ministrisë së Arsimit, mes tyre 6 protestues dhe 2 efektivë policie.
Sipas përditësimit të orës 16:30, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës po marrin trajtim 3 protestues dhe 2 policë. Të pestë janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, 3 protestues të tjerë kanë marrë mjekimin e nevojshëm në QSUT dhe janë larguar nga spitali.
Protestuesit i kanë rivënë zjarrin zyrave në katin e parë të Ministrisë së Arsimit, ku po digjen disa dokumente.
Ndërkohë protestuesit po vijojnë me hedhjen e gurëve duke thyer xhamat.

Një prej protestuesve të maskuar ka hipur në një prej koshave të mbeturinave që po digjen në vatrën e shkaktuar prej tyre në qendër të Tiranës dhe valëvit flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit e tjerë rreth tij bëjnë thirrje “UÇK, UÇK!” dhe "rroftë Shqipëria e madhe!"
Në “Rrugën e Durrësit” ku ndodh përleshja mes policisë e protestuesve që qëllojnë me gurë, efektivët po kundërpërgjigjen me hedhjen e ujit blu.
Uji blu përmban një kimikat që i jep këtë ngjyrë. Ai lë gjurmë dhe e bën më të lehtë për të identifikuar protestuesit më vonë. Në disa raste përzihet edhe me lëndë që mund të shkaktojnë irritim si solucionet me piper.
Zjarri i vendosur në kryqëzimin e “Rrugës së Durrësit” me sheshin “Skënderbej” ka marrë përmasa masive. Tymi i zi ka mbuluar qendrën e Tiranës.
Flakët po përhapen drejt pemëve që ndodhen në zonë duke krijuar rrezik gjithnjë e më të madh, ndërsa zjarrfikësja nuk duket ende. Protestuesit vijojnë të hedhin në zjarr materiale të djegshme si stolat plastikëdhe koshat.

Protestuesit me maska kanë shkatërruar dhe u kanë vënë flakën semaforëve që ndodhen në rrugën që të dërgon drejt sheshit ‘Skënderbej.’
Ata kanë krijuar edhe një lloj bllokade me stolat plastikë, mes të cilëve shihen semaforët në flakë.

Policia e Shtetit i bën thirrje për herë të dytë protestuesve që të distancohen nga aktet e dhunës. Reagimi vjen pasi protestuesit të maskuar dogjën dy institucione financiare dhe katin e parë të një zyre te Ministria e Arsimit. Policia thotë se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr.
“Nisur nga përshkallëzimi i dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi me zjarr i pronës publike dhe private, Policia e Shtetit iu bën thirrje të përsëritura dhe të forta të gjithë pjesëmarrësve në tubim, të ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.
Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese. Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer.
Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
Veprimet e dhunshme dhe shkatërrimi i pronës me zjarr rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private.
Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve! Ruajtja e qetësisë dhe e sigurisë është përgjegjësi e gjithsecilit.
E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj. Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, reagon policia.
Zjarri në filialin e ‘Iute Credit’ ka shqetësuar banorët e zonës. Një burrë shihet që del në ballkon dhe u thotë diçka protestuesve. Banorët e pallatit ngjitur kanë dalë nga banesat dhe ndodhen jashtë, të shqetësuar.
Zjarrfikësja sapo ka mbërritur, ndërkohë që flakët kanë të paktën 15 minuta që vijojnë.
Djegia e filialit të ‘Iute Credit’ në hyrje të “Rrugës së Durrësit” po festohet nga protestuesit.
Ndërsa biznesi i mikrokredive pas shpinës së tyre shkrumbohet, disa protestues pozojnë duke qeshur dhe shkrepin foto e regjistrojnë video. Një prej tyre madje është mbuluar me flamurin kombëtar, hap duart dhe ngre gishtat e mesit.
Ata brohorasin, duartrokasin dhe thërrasin në kor “Rama, jepe dorëheqjen.”
Veç filialit të institucionit financiar, shihen edhe xhama të thyer në katin e dytë të bizneseve ngjitur.
Filiali i institucionit financiar ‘Iute Credit’ që ndodhet në hyrje të “Rrugës së Durrësit” është shënjestruar sërish nga protestuesit.
Sot biznesit të mikrokredive i është vendosur flaka. Ditën e djeshme, protestuesit e shkatërruan dhe i morën mobiliet për t’i djegur në rrugë. Një prej tyre shkatërroi edhe bankomatin, madje edhe po gërmonte në të.

Protestuesit kanë nisur të hedhin një mori fishekzjarresh drejt autobotit të ujit.
“Rruga e Durrësit” është kthyer në një ‘arenë’ lufte mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit janë pozicionuar nga ana e Minstrisë së Arsimit, ku kanë vendosur edhe një bllokadë me stola, kangjella e kosha plehrash.
Nga aty, ata po flakin gurë e sende të panumërta drejt policisë. Një pjesë e mirë e protestuesve janë të maskuar dhe me kapuçë.
Policia ndodhet disa metra më larg ministrisë. Në afërsi të bllokadës së protestuesve ndodhet një autobot që hedh herë pas here ujë me presion.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zbritur në terren gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, e cila po vijon mes tensioneve.
Hita është parë pranë efektivëve të policisë në zonën përreth ministrisë, ndërsa vijon aksioni i forcave të rendit për zmbrapsjen e protestuesve.
Një nga shtyllat elektrike në rrugën që të çon drejt hyrjes së sheshit “Skënderbej” është shënjestruar nga protestuesit.
Ata po e lëkundin fort me qëllimin për të shkatërruar kamerat në të, të cilat shihen tashmë të shkulura.

Një ‘armë’ e re po përdoret nga protestuesit te Ministria e Arsimit. Një prej tyre, i maskuar me kapuç e maskë, nuk është mjaftuar vetëm me hedhjen e gurëve, por po përdor llastik për t’i gjuajtur.
Pamjet tregojnë si ai zgjedh një gur, më pas merr pozicion, shënjon e më pas qëllon.
Policia ka shoqëruar edhe dy protestues të shoqëruar, pas agravimit të protestës.
Protestuesit i vunë flakën një banke të nivelit të dytë. Një zyrë të Ministrisë gjithashtu iu vendos flaka.
Protestuesit po marrin stolat për t’i vendosur pranë kordonit të sigurisë së policisë, për të formuar një bllokadë.
Ata po përdorin edhe kangjellat apo koshat e mbeturinave, ndërsa në ajër vijojnë të fluturojnë gurë. Policia po kundërpërgjigjet me hedhjen e ujit.
Trazirat e shkaktuara nga protestuesit përpara Ministrisë së Arsimit kanë përfshirë edhe një bankë të nivelit të dytë, së cilës ata i kanë vënë zjarrin.
Xhamat e bankës janë të thyer, por është dëmtuar edhe një biznes ngjitur. Ndërkohë policia ka ndërhyrë me fikëse zjarri.
Kujtojmë që në protestën e një dite më parë, ata dogjën edhe filialin e një institucioni financiar në hyrje të “Rrugës së Durrësit.”
Protestuesit molotovë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, merr flakë një zyrë në katin e parë të godinës.
Nëntë të shoqëruar janë deri tani në polici pas sulmeve me gurë te Ministria e Arsimit.
Protestues të maskuar kanë shkulur ndriçuesit e rrugëve, hoqën pllakat e trotuareve.
Po ashtu ata kanë djegur edhe tabelë reklamash dhe kosha plehrash.
Prej orës 12:00 po vijojnë përleshjet mes protestuesve dhe forcave të policisë. Aktet e dhunës u shtrinë sërish edhe te bizneset private. Një bankë e nivelit të dytë është sulmuar nga protestuesit, duke thyer edhe xhamat.

Protesta para Ministrisë së Arsimit ka agravuar.
Protestuesit e maskuar kanë shkulur ndriçuesit e rrugëve.
Ndërkohë policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.
Protestuesit janë përplasur me demokratët. Në pamje shihet se si ata kanë rrethuar deputetin e PD, Edi Paloka, ndërsa aty është edhe Arjana Kalaja. Ata kundërshtojnë praninë e demokratëve, duke i thënë të largohen nga protestat.
Protestuesit thirrje “Rama në burg, Berisha në Burg”, “deputetët e krimit”.
Edi Paloka: Kam një jetë që protestoj.
Protestuesja: Nuk je për popullin, je për opozitën.
Protestuesit hiodhën dhe ujë dhe shishe në drejtim të deputetit.
Policia ka shoqëruar disa protesues.
Protestues të tjerë janë shprehur rë revoltuar, ndërsa blutë i kanë futur në makinë.
“Mos i prekni çunat. Mos i prekni studentët ore. Pse nuk dilni pa uniformë”, dëgjohen të thonë ata.
Maska dhe dorashka po shpërndahen mes protestuesve. Ky është momenti kur një grup protestuesish me qese të kuqe ndajnë maska dhe doreza të grupi i qytetarëve.
Një protestues ka mbetur i dëmtuar te pjesa e ballit.
Pas incidentit, protestuesi është ndihmuar nga deputeti i PD, Bardh Spahia.

Moment tensioni në protestë. Protestuesit lëshuan thirrje kundër PD.
“PD, PD, këlysha komunistësh”, tha protestuesi.
Protestuesit e maskuar kanë bllokuar rrugën me kangjella e kosha plehrash.
Protestuesit e maskuar hedhin fishekzjarre drejt policisë dhe Ministrisë! Godasin edhe autobotin
Protestursit e maskuar kanë hedhur fishekzjarre drejt policisë dhe Ministrisë së Arsimit.
Po ashtu ata kanë goditur me gurë edhe autobotin e ujit.
Uniformat blu kanë hedhur ujë 'blu' për shpërndarjen e tyre.
Report Tv sjell pamjet nga protesta e dhunshme para Ministrisë së Arsimit, ku shihen gurë që fluturojnë në drejtim të efektivëve të Policisë.
Protestuesit janë rikthyer sërish pas shpërndarjes me ujë.
Ata kanë hedhur molotov drejt Ministrisë së Arsimit.
Një e re është shoqëruar nga efektivët e Policisë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ndërsa dëgjohet të kundërshtojë shoqërimin duke thënë: “Po protestoj paqësisht”.
Në një moment tjetër, ajo u thotë protestuesve që të njoftojnë prindërit e saj.
"Ik e thuaj mamit dhe babit", dëgjohet të thotë e reja.
Policia ka ndërhyrë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve që po sulmonin Ministrinë e Arsimit me gurë e molotovë, por edhe vetë efektivët.
Pas ndërhyrjes, protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët përreth godinës

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të ndërpresin menjëherë aktet e dhunës para Ministrisë së Arsimit dhe të distancohen nga personat e maskuar.
APEL I POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj. Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.
Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit. Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet.
Protestuesit kanë vijuar me aktet e dhunës edhe ndaj mediave. Gazetarët që po raportojnë për protestën janë sulmuar me gurë.
Protesta në Tiranë ka agravuar. Policia ka ndërhyrë autobot për shuarjen e zjarreve
Protestuesit e maskuar i vënë flakën tabelës së reklamave te rruga e Durrësit.
Protestuesit vënë koshat e plehrave në mes të rrugës, i vënë flakën
Protestuesit kanë vendosur kangjella metalike në mes të rrugës, duke krijuar një barrikadë për të penguar kalimin e autobotit të Policisë që hedh ujë.
Protesta para Ministrisë së Arsimit ka agravuar.
Teksa kanë vijuar me hedhjen e gurëve, një i ri i maskuar është ngjitur në shtyllë.
Të rinj me fytyra të mbuluara tentojnë të ngjiten mbi muret rrethuese të Ministrisë së Arsimit, ndërsa vijojnë tensionet gjatë protestës.
Një grup protestuesish të maskuar kanë arritur të hapin derën e Ministrisë Arsimit duke e sulmuar me kangjella.
Ka agravuar protesta para Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit e maskuar kanë qëlluar me gurë drejt institucionit
Po ashtu ata kanë hequr edhe pllakat e trotuarit që ishin vendosur sot në mëngjes.
Edhe një ditë më parë ata hoqën me forcë pllakat e trotuarit.
Tensionet janë rikthyer para Ministrisë së Arsimit, ku të rinj me fytyra të mbuluara kanë shkulur kangjellat e trotuareve, i kanë grumbulluar përpara godinës dhe kanë nisur të sulmojnë me gurë.
Dhuna e ushtruar ndaj protestuesve një ditë më parë, duket se është një ndër arsyet që kanë shtyrë studentët e disa fakulteteve në Tiranë që të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë para ministrisë së Arsimit.
"Balluku ka 300 shtëpi, ju asnjë", tha një studente drejtuar efektivëve.
Për Report Tv ata shprehen se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama si dhe përmirërësimin e kushteve në fakultete e konvikte.
“Kërkojmë drejtësi për protestuesit djeshëm. Duam kushte më të mira, nuk kemi laboratore për të kryer mësimin. Jemi shumë në disavantazh me studentët europianë. Në orrën 14:00 do të shkojmë te Ministria e Arsimit siç është thënë”, tha një studente e Mjekësisë
“Fillimisht kemi dalë si qytetarë. Jam studente në Fakultetin e Mjeksisë”, tha studentja.
"Kërkesat janë ato që kemi thënë në 135 ditë. duam dorëheqjen e Ramës”, tha një student i Mjekësisë.
Edhe një pjesë e studentëve të Fakultetit Ekonomik kanë bojkotuar mësimin dhe po marshojnë në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Studentët e Ekonomikut dhe të Shkencave Humane, në Universitetin e Vlorës nuk e kanë bojkotuar mësimin. Megjithatë, ata shprehen se e mbështesin protestën e bashkëmoshatarëve të tyre në kryeqytet.
Sipas tyre, protesta është një mënyrë për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete, por theksojnë se duhet të ketë një kauzë të qartë dhe konkrete. Kërkesat duhet të përqendrohen te cilësia e mësimdhënies, përmirësimi i kushteve në auditore dhe ulja e tarifave.
"Ne e mbështesim protestën. Duam kushte më të mira", shprehen studentët.
Studentët e Mjekësisë janë zhvendosur te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku u kanë bërë thirrje studentëve të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës së tyre.
"Kërkojmë drjetësi për protestuesit e djeshëm. Kërkojmë kushte më të mira. ne duam të rrimë këtu, s'duam të largohemi. Por duam kushte më të mira. Kushtet janë të vështira, skemi laboratorë", tha një studente e Mjekësisë për Report Tv.
Nxënës të gjimnazit Partizani kanë bojkotuar mësimin. Ata kanë djegur koshat në mes të rrugës duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.
Studentët e fakultetit ekonomik të universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan kanë bojkotuar mësimin më shenjë proteste.
Siç shihet edhe nga pamjet auditoret janë boshatisur.
-
Rame ta futen m duket...
Përgjigju -
Grupi i adolishenteve te dhunshem qe nuk kane frike nga asgje eshte sponzorizim i qeverise per te bere pis protesten e studenteve shifni si luajn teater me policine ..!
Përgjigju -
Turp, turp, turp…….. O njeres ( e meritoni fjalen kafshe ) boll me anarshi . Nuk doni kete qeveri eshte e drejta e gjithkujt te protestoje. Por Jo dhune e shkaterrim si 97…..Po ne do ti paguajme keto deme. Turp, turp, turp….. Qeveria te marre masa per te ruajtur rendin ose te largohet. Populli votoj kete politike te na qeverise por jo te lejoje shkaterrime dhe pasiguri.
Përgjigju -
Ska si do ndoshte ndryshe. Sala prap ne ndihme te Edit ;)
Përgjigju -
pritni se do vin dhe te ju qe keni 20 vjet qe i jepni jete mafjes te rames. bohuni gati se do ju dhegim mren si minj
Përgjigju -
Po me urën çpatën...thënie epokale një filmi tonë.Tani a ka ligje,aka forca,dhe ku jsnë?Unë i bëjë thirrje MinBrënd.Drejt.të Përgj.të Pol.së Shtstit SHQIPTAR MOS NDËSHKO POLICËT POR ORG. forcat e mjetet(si thoshim një herë e një kohë resurset)dhe dili zot punës.Tregoje që i do vartëskt.
Përgjigju -
TE RENTE DAMLLAJA O EDI RAMA..O HAJVAN..,HAJDUT...SE TI NUK HYRE ,,,NE POLITIKE PER TE NGRITUR SHQIPERINE....POR VETEM PER TE MBUSHUR XHEPAT.BASHKE ME SALI PLEHREN....
Përgjigju -
po zgjarrin Shqupit kur do ja vini? apo i keni harruar kohet kur Saliu vriste e rrihte studentet ne 97 dhe 2011?
Përgjigju -
Më mir gallatë se sa me shku në shkollë se për me msu nai gjo sbohet llaf
Përgjigju-
O sa mir me ken shqiptar qe ti veme faken Shqiperise mbar , o hej o hej .Me uligan mbushur bulevardi me ne krye sali protopapen me horrat e tij .,
-
Bravo Luli. Ik ha qofte te shqupi se per sot e kreve planin ditor
-











Komente
Komento