KProtesta e dhunshme në Tiranë, reagon Ambasada Amerikane: Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë Tetë orë protestë e dhunshme, përplasje me policinë dhe dëme të shumta materiale në Tiranë.
Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.
Dhuna nisi te Ministria e Arsimit, ku godina u sulmua sërish me gurë dhe flakë. Të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve, i grumbulluan përpara godinës dhe goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit. Protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua.
Protesta e dhunshme vijoi drejt Sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit u vunë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave.
Një tjetër vatër e dhunës ishte Ministria e Ekonomisë. Protestuesit hynë në katin e parë të godinës, shkulën dyer, thyen xhama dhe nxorën orenditë jashtë ambienteve.
Sulmet prekën edhe Ministrinë e Brendshme, ku u godit godina dhe u thyen xhamat.
Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupime, njëri në Sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmuan ndërtesat, përgjatë tij.
Dëmtime pati edhe te Piramida e Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkatërruan dhe u dogjwn pjesë të ambienteve. Edhe në këtë zonë u sulmua një tjetër bankë private e nivelit të dytë.
Protestuesit vijuan më pas drejt Kryeministrisë, ku u dogjën pemët në hyrjen anësore të godinës.
Protesta e dhunshme u zhvendos edhe te ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit. Protestuesit mësynë drejt godinës dhe tentuan të futeshin brenda.
Gjatë tetë orëve të protestës së dhunshme, policia ndërhyri në disa prej vatrave të tensionit, duke përdorur autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur dhe shpërndarë protestuesit.
Zhvillimet më të fundit:
Policia detyrohet të tërhiqet, protestuesit tentojnë të hyjnë në goditën e kryesisë së Kuvendit
Top Channel