Design

Me çmim të ulur/Vila ikonike e “The Fresh Prince of Bel-Air” sërish në shitje!

Vila ikonike nga seriali televiziv i viteve ’90, The Fresh Prince of Bel-Air, ka dalë sërish në shitje në Los Anxhelos me çmimin 22,95 milionë dollarë. Në fakt, ajo po ofrohet me një çmim të reduktuar, pasi shifra fillestare e kërkuar ishte 29,5 milionë dollarë. E ndërtuar në vitet 1930 në stilin kolonial, prona i ka përkitur të njëjtës familje që nga viti 1978, kur ata e blenë atë për rreth 732,000 dollarë. Për ta, ajo ishte thjesht vendi ku u rritën, shumë kohë para se të bëhej një ikonë televizive falë serialit të famshëm. Për çudi, ajo nuk ndodhet në lagjen Bel-Air, siç sugjeronte kënga e kolonës zanore, por në Brentwood.

Rezidenca shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 6,438 këmbësh katrore (rreth 600 metra katrorë) dhe përfshin gjashtë dhoma gjumi e shtatë tualete. Ambientet e brendshme ruajnë një stil klasik dhe elegant, duke shfaqur elemente arkitekturore mbresëlënëse. Hyrja të çon në një holl madhështor me lartësi sa dy kate, ku bie në sy shkalla e harkuar. Në dhomën kryesore të ndenjes, oxhaku shërben si pikë qendrore, ndërsa dritaret e mëdha e mbushin hapësirën me dritë dhe ofrojnë pamje nga kopshti. Edhe dhoma e ngrënies ka dritare të shumta dhe akomodon rehatshëm një tavolinë për tetë persona. Suita kryesore përfshin zona të ndryshme relaksi dhe dollapë të mëdhenj, ndërsa tualeti kryesor është i pajisur me një vaskë të madhe dhe lavamanë të dyfishtë.

Për pronarët e saj prej dekadash, vila ishte mbi të gjitha një shtëpi familjare. Familja Rehban ka treguar se ata kaluan aty gati gjysmë shekulli, shumë kohë para se ndërtesa të fitonte famë televizive. “Familja jonë ka pasur privilegjin ta quajë këtë pronë shtëpi për gati gjysmë shekulli,” deklaruan ata, duke kujtuar se si para famës televizive ajo ishte thjesht vendi ku jetonin, mblidheshin dhe krijonin kujtime. Tani, vila është në kërkim të një pronari të ri. Ata shpresojnë se blerësi do ta vlerësojë rëndësinë e saj historike dhe njëkohësisht do ta shndërrojë atë në skenën e një historie të re personale.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.