Dorëshkrimi Voynich, një prej mistereve më të mëdha të Mesjetës, mund të ketë krijuar konfuzion për shekuj për një arsye të papritur: faqet e tij mund të jenë lidhur në rendin e gabuar. Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Digital Medievalist sugjeron se fletët e dorëshkrimit, të shkruara në një gjuhë ende të padeshifruar dhe të shoqëruara me ilustrime të çuditshme botanike, astronomike dhe anatomike, mund të jenë riorganizuar gabimisht gjatë shekullit XV.
Studiuesit Colin Layfield dhe Lisa Fagin Davis argumentojnë se fletët fillimisht mund të kenë qenë vendosur njëra mbi tjetrën si fletë të veçanta, një strukturë e njohur si “singulions”, por më vonë janë lidhur në një mënyrë tjetër, duke prishur rendin origjinal të tekstit dhe ilustrimeve.
Për të testuar këtë hipotezë, studiuesit përdorën analiza numerike të blloqeve të tekstit. Ata vunë re se disa faqe që aktualisht janë larg njëra-tjetrës shfaqin një koherencë të lartë gjuhësore. Edhe ilustrimet ofrojnë të dhëna: në disa raste, linja, tuba apo elemente të figurave përfundojnë në pjesën e brendshme të faqes dhe nuk përputhen me faqen përballë. Kur faqet riorganizohen sipas hipotezës së re, këto elemente lidhen më natyrshëm.
Zbulimi nuk e ka deshifruar gjuhën misterioze të dorëshkrimit, të njohur shpesh si “Voynichese”, por mund të ndryshojë mënyrën se si studiuesit e kuptojnë vetë veprën. Një prej ideve që vihet në pikëpyetje është ajo e një autori të vetëm. Analizat paleografike sugjerojnë se dorëshkrimi mund të jetë shkruar nga deri në pesë skribë, çka forcon hipotezën se bëhej fjalë për një vepër të krijuar ose përdorur nga një komunitet, ku njohuritë përcilleshin nga një brez te tjetri.
Përmbajtja e tij mbetet po aq enigmatike. Dorëshkrimi përmban bimë të panjohura, diagrame astronomike, figura njerëzore dhe ilustrime që disa studiues i lidhin me anatominë femërore, mjekësinë popullore, bimët mjekësore dhe astrologjinë. Studiuesit hedhin madje hipotezën se mund të ketë qenë një lloj përmbledhjeje e njohurive popullore të grave, por theksojnë se kjo nuk mund të provohet ende. Dorëshkrimi ruhet sot në Yale University. Pergamena e tij është datuar me karbon midis viteve 1404 dhe 1438, duke përjashtuar teoritë e vjetra që ia atribuonin veprën Roger Baconit apo Leonardo da Vinçit. Ironia është se pikërisht lidhja e gabuar mund të ketë ndihmuar në ruajtjen e tij. Sipas studiuesve, shumë dorëshkrime të tjera mesjetare mund të jenë zhdukur sepse nuk ishin lidhur dhe nuk u ruajtën.