Politikë

“Mos inspironi dhunën”/ Debate te “Nismat Qytetare”, Kaso: Nuk barazohet veza me dhunën e policisë! Xhafaj: E kam provuar më 21 janar!

Protesta e ditës së djeshme ka ngjallur debate në Komisionin e Nismave Qytetare, Bashkëpunim dhe Mbikëqyrje Institucionale.

Deputeti Demokrat Ivi Kaso shprehu se vezët e hedhura drejt ministrisë dhe kangjellat e shkulura nga protestuesit, nuk mund të barazohen me gazin lotsjellës dhe dhunën policore.

Xhafaj u përgjigj duke thënë se ai ka qenë vetë dëshmitar i dhunës policore më 21 janar.

Debati i plotë:

Kaso: Asnjë komision nuk mund të zhvillohet normalisht dhe të mbyllim sytë. Sot Tirana është ngritur e plagosur, sepse është plagosur zemra dhe e ardhmja e vendit, studentët. Dje kemi parë skena që asnjë nga ne nuk donte t’i shihte, që na kujtojnë, për fat të keq, protestat e ’90-ës, madje edhe atëherë kur u rrëzua një regjim, dhuna ndaj studentëve nuk ishte aq disproporcionale sa ajo e djeshmja. Kaq me qëllim t’i frikësojë në mënyrë që ata të mos ngrihen sot, siç kanë paralajmëruar. Të gjithë kemi të afërm, kemi qenë studentë dhe nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Shumë nga ne kanë qëndruar pa gjumë nga pamjet që pamë dje të studentit 19-vjeçar me këmbën e thyer që tërhiqej nga policia si thes rëre. Nga pamjet e të moshuarve që rrëzoheshin dhe dhunoheshin nga policia. Nga pamjet e të rinjve që, pasi dhunoheshin, lidheshin në hekurat e ministrisë. Unë jam i qartë për misionin e Policisë së Shtetit, ai i mbrojtjes së institucioneve, por misioni kryesor është ai i mbrojtjes së jetës së qytetarit, dhe kujtdo që iu rrezikua jeta dhe provoi në trup dhunën policore. Dhe nuk mund të mbivendoset ky mision me misionin tjetër për të ruajtur fasadën e institucioneve. Ne jemi komision mbikëqyrjeje, ndaj duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe të kërkojmë përgjegjësitë politike të urdhëruesve të dhunës ndaj studentëve, që në këtë rast është ministri Ervin Demo. Unë kërkoj që ky komision të marrë në konsideratë dhe ta përmbysë rendin e ditës sot, të thërrasë ministrin dhe të kërkojë në radhë të parë kush ishin urdhëruesit dhe përgjegjësia që fillon nga ministri deri te polici i fundit që ushtroi dhunë.

Xhafaj: Ne besoj se ndajmë të njëjtin mendim: protesta është e drejtë kushtetuese, bën pjesë në rrethin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Por ashtu duhet të mendojmë me të njëjtën qasje edhe faktin që protesta e dhunshme është e dënueshme dhe dhuna e çdo lloji nuk duhet të tolerohet. Mund të ketë raste të tejkalimit të përdorimit të forcës nga policia dhe është e papranueshme edhe kjo gjithashtu. Policia e Shtetit ka pezulluar oficerët e policisë dhe ka nisur një hetim të brendshëm administrativ sipas ligjit të policisë për të hetuar përgjegjësit dhe për t’i shërbyer ky fakt edhe për një sjellje më profesionale të policisë.

Por duhet të jemi të vetëdijshëm për një fakt shumë të rëndësishëm: ka mbi 100 ditë që protestohet në Shqipëri dhe sjellja e shtetit dhe e policisë ka qenë shumë korrekte. Ka qenë korrekte sepse e tillë ka qenë vetë protesta, në kufijtë kushtetues të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Në momentin që kjo e ka tejkaluar këtë gjë, siç ishte rasti i djeshëm, padyshim nuk ka polici në botë dhe e ka në misionin e saj policia që të sigurojë rendin dhe qetësinë. Unë kam qenë vetë protestues, siç tentuat ju të ishit dje. Dhe e kam pranuar edhe kundërshtimin, edhe forcën e policisë, e kam provuar edhe mbi kurriz. Nuk kam pranuar një gjë, që u vranë 4 njerëz në një protestë të lirë qytetare. Këtë nuk e kam pranuar dhe nuk do ta pranoj kurrë në jetën time. E kam pranuar atë gjë që, po dole në protestë, po e tejkalove, do të përgjigjet policia, edhe në mënyrën më të ashpër të mundshme. Por natyrisht, ne besoj, unë, se duhet të mbrojmë fort të drejtën e lirë të protestës të qytetarëve dhe të studentëve. Nuk e di sa studentë ishin dje, kjo është një çështje tjetër, nuk më takon mua. Nga ana tjetër, nuk duhet të mbrojmë dhe të përkrahim dhunën ndaj institucioneve, dhunën ndaj policisë, se tejkalon liritë e protestës. Do t’ju kërkoja, siç na kërkoni ju me të drejtë që komisionet parlamentare dhe Kuvendi të shqyrtojnë, për aq sa na takon, edhe përgjegjësi konkrete, unë mendoj që kemi të drejtë t’ju kërkojmë juve: duhet ta mbështesni, të bëheni pjesë e protestës, por nuk duhet ta inspironi pjesën që ka të bëjë me dhunën ndaj institucioneve dhe ndaj Policisë së Shtetit. Këtu kemi qasje të ndryshme nëse ju mbani këtë qëndrim.

Kaso: Dua të qartësoj pikëpamjen time nëse nuk ishte e qartë. Ne si opozitë nuk bëjmë dhe nuk kemi bërë kurrë thirrje për dhunë, në ndryshim nga të tjerë që jo vetëm kanë bërë thirrje për dhunë, por kanë paralajmëruar dhe viktima para protestave dhe është detyrë e organeve të drejtësisë, kush i çoi ata njerëz atje për t’i bërë viktima. Kështu që nuk është histori që nderon ndonjë palë që ta sjellë me epërsi morale. I bashkohem në këtë rast për të bërë drejtësi të plotë, duke filluar nga organizatori për ngjarjen që ju përmendët. Por për të djeshmen është e qartë që as nuk ka pasur inspirim për dhunë nga opozita dhe as nuk do të ketë kurrë, sepse e ka provuar dhunën e pushtetit tuaj për 14 vite dhe asnjëherë nuk ka bërë thirrje më pas për protesta të dhunshme. Kështu që unë distancohem, jo vetëm personalisht, por edhe në emër të opozitës nga çdo thirrje dhune dhe ju kërkoj dhe juve që të mos barazoni dhunën që ushtroi policia me aktet e protestuesve që ishin sporadike dhe simbolike. Këtu kemi parë dhe vendim gjykate kur goditjen simbolike të makinës së kryeministrit me vezë e quajtën liri të shprehjes dhe jo akt dhune. Dhe nëse ka dy protestues që, në shenjë proteste, hedhin dy vezë drejt ministrisë dhe prishin një kangjell, nuk mund të vihet shenja e barazimit me përgjigjen e policisë që ka mbytur me gaz nga ‘Zogu i Zi’ dhe nuk ka lënë kalimtar pa dhunuar.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.