Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri ka nisur me tensione të mërkurën. Një grup protestuesish kanë shkulur kangjellat metalike dhe sinjalistikën rrugore pranë godinës, ndërsa kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të policisë.
Më herët, studentët iu drejtuan Forcave Speciale me thirrjen: “Mos na provokoni!”. Ndryshe nga një ditë më parë, policët ende s'janë kundërpërgjigjur dhe po qëndrojnë brenda perimetrit të godinës.
Ndonëse protesta ishte njoftuar të niste në orën 14:00, demonstrata nisi shumë më herët. Studentë të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave dhe fakulteteve të tjera bojkotuan mësimin duke u grumbulluar në rrugë për të marshuar në drejtim të MAS, raportoi A2News.
Bojkoti ishte paralajmëruar nga disa universitete dhe fakultete pas përplasjeve të dhunshme të një dite më parë.
Protestës i janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani”, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugën para shkollës së tyre.
Gjithsej 27 persona kanë marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve gjatë protestës të së martës në Tiranë, përfshirë punonjës të policisë, protestues, gazetarë, kalimtarë të rastit dhe një diplomat i huaj.
Ministrisë së Arsimit në Shqipëri i del tymi nga brenda, Policia përpiqet të shpërndajë protestuesit
Tensione të vazhdueshme raportohen nga protesta para Ministrisë së Arsimit, në ditën e saj të dytë. Nga ambientet e brendshme të ministrisë është parë të dalë tym i zi, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të godinës.
Nga ana tjetër, Policia ka krijuar disa kordone sigurie dhe ka përdorur vazhdimisht ujë me presion në drejtim të turmës, me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Deri më tani, janë kryer disa shoqërime, ndërsa katër persona dhe një efektiv policie kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT dhe në Spitalin e Traumës, pasi kanë pësuar lëndime.
Protesta para Ministrisë së Arsimit vijon në situatë e tensionuar.
Ministria e Shëndetësisë ka informuar mbi gjendjen shëndetësore të personave të paraqitur në strukturat spitalore pas protestës. Në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) është paraqitur një protestues, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Ai paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu, në këtë strukturë spitalore është paraqitur një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, është larguar me këshillën e mjekut.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me dëmtime të lehta. Dy prej tyre janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, ndërsa personi i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën./ TCH