Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë është i padrejtë, juridikisht dhe moralisht, prandaj edhe theksoi se Qeveria po punon që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit.
Ka shtuar se grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Sipas tij, do të ketë përfaqësim institucional e parlamentar në këtë grup.
“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake. Për këtë arsye, po e themelojmë grupin punues, të kryesuar nga Konjufca, me përfaqësim institucional e parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike e institucionale në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, ka thënë ai.
Kurti e ka paralajmëruar formimin e grupit punues në fillim të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën. Ai e quajti atë "vendim të rëndësishëm".
Edhe
Hoti: S'jam i bindur se Projektligji për Specialen sjell ndryshimet e nevojshme
“Në Apel na duhet suksesi”, ka deklaruar Kurti para se të miratohej vendimi për formimin e grupit.
Tutje ka folur edhe për zgjedhjen e presidentes, duke deklaruar se zgjedhja e saj u bë pas shumë përpjekësh. Ka thënë se pas shumë kohësh, vendi mund të merret me punë e projekte.
“Nga janari i vitit 2025, kur nisi fushata pas përfundimit të mandatit të plotë qeverisës, gjatë gjithë kohës ishim në fushata të pandërprera. Fillimisht kishte bllokadë në Kuvend, pastaj në Qeveri dhe, në fund, te Presidenti. Por, më në fund, kjo nyje u zgjidh. Javën e kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi zgjodhi presidenten e shtatë të Kosovës. Zgjedhja e presidentes shënon përmbylljen e konstituimit të plotë të institucioneve. Vendi ynë, pas shumë kohësh, ka kohën dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim, si dhe t’i kthehet arsyes pse ekzistojnë shërbimet ndaj qytetarëve”, ka deklaruar ai.