I ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë gazetari i Top News, Xhoi Malësia, i cili është sulmuar mbrëmjen e djeshme nga forcat e policisë, teksa po raportonte në terren për protestën. I pyetur rreth kësaj ngjarje, Xhoi u shpreh:
Një ngjarje komplet e pakëndshme. Nuk është se pati dëm fizik ndaj meje, por po themi patëm një konfrontim komplet të panevojshëm dhe absurd. Gjithçka ka nisur për shkak të goditjes me gurë nga ana e forcave të ndërhyrjes së shpejtë në një moment ku atje nuk kishte më protestues, kishin mbetur vetëm një grup gazetarësh. I revoltuar nga kjo sjellje i kam kërkuar të ndalojnë dhe në atë moment një prej efektive, personi përgjegjës për hedhjen e gazit lotsjellës ka një lloj mekanizmi që bëhet lançimi i këtyre bombolave të gazit lotsjellës ma drejtoi përballë dhe ky ishte veprimi që më preku.
Më së shumti ka një arsye që efektivët nuk iu lejohet të mbajnë armë zjarri gjatë protestave dhe janë pikërisht në raste si këto. Kam kërkuar numrin e identifikimit të efektivit, nuk e ka patur të afishuar. Kam kërkuar të komunikoj me komandantin e grupit, më kanë refuzuar madje me fjalor rrugaç. Jam afruar për ta, po themi për ta marrë drejtpërdrejt këtë informacion, për shkak se doja ta denoncoja si rast dhe atje ndodhi, po themi lloj shtyrje nga ana e asaj skuadre.
Dje nuk ka patur një kursim, po e them me ton më të zbutur, në raport me gazetarët. Gjatë gjithë kohës që kemi raportuar na kanë futur nëpër rrugicat e rrugës së Durrësit. Gjatë kohës që mund të kishte tension, qëndronim këtu pa dhënë një argument, ku kam thënë që gazetarët nuk pengohen as në frontin e luftës. Nuk donin të kuptonin. Në çdo rast kishin një tension, domethënë të shfaqur edhe ndaj nesh dhe sinqerisht më vjen keq që është kjo atmosferë. Gazetarët janë pjesa më vulnerabël në raste të tilla, qëndrojnë mes përplasjeve me rrezikut të dyanshëm, pra janë në mes të frontit nëse do ta quajmë kështu vijën e përballjes mes dy palëve. Kështu që besoj që në raport me gazetarët, një mision fisnik për të raportuar ne edhe po të marrim, po themi qasjen kanunore, që është forma primitive të bashkëekzistuarit, lajmësi kishte një pozitë të veçantë. Shpresoj që të vazhdojë të nderohet kjo traditë, të paktën të respektohen edhe, edhe ligjet në fuqi. Gazetarët s’janë aty për të bërë dëm. Kanë një detyrë fisnike.
Sot kam depozituar një ankesë pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore mbi tre pretendime kryesore. E para, përdorimi i gurëve që nuk më duket etik dhe nuk janë në mjetet e punës në Ligjin për Policinë e Shtetit. E dyta, është kanosja përmes gaz-hedhësit, pra aparaturës që përdoret për lëshimin e plumbave të gazit. Dhe e treta mungesa e identifikimit. Sipas Ligjit për Policinë e Shtetit, policia duhet të jetë në çdo rast e identifikueshme. Pra janë tre elementë shumë thelbësorë që në rast se nuk marrin përgjigje, përbëjnë një shkelje të rëndë etike në raport me besueshmërinë dhe po themi ndërveprimin e autoriteteve me qytetarët në këtë rast edhe me mediat.