Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avokati i Popullit: Specialja s'i është nënshtruar monitorimit e kontrollit demokratik nga institucionet vendore

av

Foto: Driton Paçarada

Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto konstatime janë paraqitur gjatë prezantimit të Raportit ex officio për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në një tryezë diskutimi në Prishtinë. 

Sipas raportit, Dhomat e Specializuara nuk i janë nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, thuhet në raport.

Avokati i Popullit vlerëson se mungesa e një elementi vendor dhe e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës ka ngritur shqetësime edhe sa i përket respektimit të standardeve për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Raporti ngre shqetësime edhe për kohëzgjatjen e paraburgimit, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës.

Në raport rekomandohet që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mbështesin një mekanizëm të pavarur dhe profesional për monitorimin e procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara. Po ashtu, Avokati i Popullit kërkon që shqetësimet e identifikuara t’u adresohen Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.

PDK-ja e AAK-ja kërkojnë qasje institucionale ndaj raportit për Specialen

1 min. më parë / 14 tet 2026 11:57
avokati i popullit

Photo: Driton Paçarada

Në tryezën e diskutimit për prezantimin e Raportit ex officio të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, kanë folur për gjetjet e raportit dhe nevojën për një qasje institucionale ndaj tyre.

Tahiri tha se raporti nxjerr në pah, sipas tij, probleme serioze lidhur me shkeljen e të drejtave të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Ne sot jemi dëshmitarë të një raporti që sjell në pah disa probleme serioze me shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj katër çlirimtarëve tanë. Koha kur ne flasim emocionalisht ka përfunduar, është koha kur Kosova prezanton vendimet e veta në evidencë”, tha Tahiri.

Ai kërkoi që institucionet ta trajtojnë me seriozitet raportin, ndërsa si dy momente të rëndësishme i veçoi raportin e Avokatit të Popullit dhe vendimin e Kuvendit për Ligjin për Specialen.

Tahiri foli edhe për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ai mund të rishikohet pas 11 vitesh.

“Kosova, 11 vjet pas, ka të drejtë ta rishikojë në aspektin e standardeve një ligj i cili nuk është libër i shenjtë, por një ligj që e ka bërë Qeveria”, u shpreh ai.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, gjatë së njëjtës tryezë, falënderoi Avokatin e Popullit për raportin, të cilin e cilësoi si të nevojshëm.

“Dua të falënderoj Avokatin e Popullit për një raport tejet të nevojshëm. Ne kemi një vendim për dënimin e katër të UÇK-së, por çfarë ne shohim dhe flasim janë shkelje serioze dhe në fund ka derivuar që vendimi është marrë në emër të popullit të Kosovës”, tha Deliu-Kodra.

Ajo paralajmëroi se për këtë çështje do të flasë edhe në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.