Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të ndërpresin menjëherë aktet e dhunës para Ministrisë së Arsimit dhe të distancohen nga personat e maskuar.
APEL I POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj. Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.
Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit. Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet.
Për të dytën ditë radhazi, Ministria e Arsimit është kthyer në arenë të akteve të dhunës. Të rinj me fytyra të mbuluara kanë sulmuar godinën me gurë e molotovë dhe kanë shkulur kangjellat e trotuareve. Skenari është i njëjtë si dje, në vijë të parë për aktet e dhunës janë lënë të rinj të maskuar.
Protestuesit kanë ngritur edhe barrikada, duke vendosur kangjellat në mes të rrugës për të penguar kalimin e autobotit të Policisë. Tensionet nisën rreth orës 12:00, por vetëm pas gjysmë ore, policia pati një ndërhyje duke shoqëruar të paktën 2 persona. Por më pas u tërhoq. Një autoboot me ujë po shuan flakët në rrugë.
Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 14:00, por që në mëngjes studentët bojkotuan mësimin në disa fakultete, përfshirë Drejtësinë, Mjekësinë, Ekonomikun dhe Politeknikun. Një grup studentësh të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje të rinjve t’i bashkoheshin protestës. Studentë të këtij fakulteti lanë auditorët dhe iu bashkuan marshimit. Edhe nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dogjën kosha mbeturinash në mes të Rrugës së Dibrës, duke bllokuar qarkullimin.