Mbappe përballet me një çështje ligjore në Francë, nën hetim edhe nëna e tij

Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, është përfshirë në një çështje ligjore në Francë, e cila lidhet me marrëdhëniet e tij me Mohamed Sanhadjin, ish-përgjegjësin e sigurisë së kombëtares franceze. Sipas raportimit të së përditshmes franceze L’Équipe, futbollisti është marrë në pyetje nga Policia Kombëtare në kuadër të hetimeve për këtë çështje.

Më 30 shtator, Mbappe u kritikua në Spanjë pasi udhëtoi drejt Parisit, pavarësisht se ishte i dëmtuar. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, ai u fotografua në një festë në shoqërinë e partneres së tij, Ester Exposito. Megjithatë, sipas L’Équipe, udhëtimi i tij lidhej kryesisht me çështje ligjore dhe jo vetëm me arsye personale.

Autoritetet franceze po shqyrtojnë një donacion prej 60.300 eurosh, të bërë nga Mbappe në qershor të vitit 2023. Shuma, sipas raportimit, vinte nga shpërblimet që sulmuesi kishte përfituar pas Botërorit të vitit 2022.

Swiss Digital Desktop Reklama

Hetuesit po analizojnë gjithashtu një hua prej 120 mijë eurosh, të kërkuar nga Sanhadji, i cili dyshohet se kishte pretenduar se po përballej me vështirësi financiare. Në hetim është përfshirë edhe prania e ish-përgjegjësit të sigurisë gjatë një udhëtimi familjar të Mbappes në Kamerun, në korrik të vitit 2023.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në kuadër të së njëjtës çështje është marrë në pyetje edhe Fayza Lamari, nëna e futbollistit. Ajo u paraqit të premten e kaluar para tre gjyqtarëve hetues, por nuk është marrë zyrtarisht e pandehur. Sipas raportimit, dyshohet se i kishte kërkuar Sanhadjit të ndihmonte në pajisjen me viza të katër familjarëve të saj.

Ndërkohë, Sanhadji është marrë zyrtarisht i pandehur më 16 shtator, nën dyshimet për korrupsion, mashtrim dhe pastrim parash. Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe emra të njohur, si Franck Ribéry, Jamel Debbouze, Noël Le Graët dhe Philippe Diallo.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?